Ndërlidhjet

H. KOSTOV: " KA PËRMIRËSIM TË SITUATËS POR KA EDHE PROBLEME"


Hari Kostov, Ministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kostov, a vlerësoni se Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë tërësisht e kontrollon situatën e sigurisë në terren duke pasur parasysh incidentet që ndodhin thuajse çdo ditë?

HARI KOSTOV
Incidente ka dhe unë në përgjithësi mund të them se Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes e kontrollojnë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe situatën në terren. Ka një përmirësim të situatës së sigurisë, por njëkohësisht ende ka edhe probleme. Nuk mund të themi se në vitin 2001 konflikti përfundoi, dhe tani Maqedonia u bë shteti më ligjor në botë, në të cilin çdo gjë respektohet në mënyrë shumë demokratike. Probleme ka. Keni ngjarjet e Tetovës, dhe në disa rajone të caktuara, akoma ekzistojnë grupe që kryejnë aktivitete terroriste dhe kriminele. E vërteta është se keni persona dhe grupe të vogla që merren me këto aktivitete terroriste, që kanë idetë për ndonjë Shqipëri të Madhe, ide e cila nuk gjen mbështetje këtu. Po ashtu është e rëndësishme dhe është e qartë se këto ide s'kanë mbështetje as nga ana e Republikës së Shqipërisë, as nga cilido institucion ndërkombëtar. E dyta është se kemi të bëjmë me grupe kriminele që paraqiten si AKSH, por duhet cekur se motivi kryesor i këtyre grupeve është vetëm kriminel.

RADIO EVROPA E LIRË
Si zhvillohet komunikimi mes shqiptarëve dhe maqedonasve nëpër patrullat e përziera etnike?

HARI KOSTOV
Tani për tani jo vetëm që nuk kemi pasur probleme rreth kësaj në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por përkundrazi, funksionimi i tyre dhe pranimi nga ana e popullatës lokale ku e kryejnë patrullimin është shumë i kënaqshëm. Nëse bëjmë analiza nga muaji dhjetor kur filluam aksionet për ndërprerjen e trafiqeve me njerëz dhe me prostucion, kudo në ato rajone janë prezente edhe patrullat e përziera etnike dhe siç e shihni, nuk pati reagime negative nga popullata vendore, përkundrazi ato ishin të pranuar në mënyrë pozitive. Edhe gjatë incidenteve të premten e kaluar në Tetovë, një grup terroristësh kriminelë ka hapur zjarr në drejtim të një veture policore ku ishin 4 policë shqiptarë dhe dy maqedonas.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, pse mungesa e tolerancës ndëretnike përsëri paraqitet në vend?

HARI KOSTOV
Mendoj se nuk mund te presim menjëherë që pas vitit 2001 gjithçka të harrohet dhe të mos ketë mungesë tolerance ndëretnike apo konflikte ndëretnike. Incidente të tilla do të kemi edhe në të ardhmen. Është shumë e vështirë dhe do të duhet shumë përpjekje që të përmirësohen situata e sigurisë, bashkëjetesa dhe mirëbesimi. Vetëm një hap i gabueshëm do të mund të na kthejë shumë prapa.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i menaxhon Ministria e Punëve të Brendshme situatat ku është paraqitur tejkalimi i autorizimeve zyrtare të policisë?

HARI KOSTOV
Nëse keni vënë re, raportet e Komisionit Europian dhe të Human Rights Watch, kanë të bëjnë me periudhën deri në vitin 2002. Nga ana jonë me ardhjen e njerëzve të rinj në ministri, kjo politikë ka ndryshuar tërësisht. Çdo polic, i cili do t'i keqpërdorë mjetet që i takojnë do të ballafaqohet me ligjin. Muajve të fundit rreth 7-8 policë janë përjashtuar nga puna sepse kanë përdorur mjete që nuk janë paraparë në ligjin ekzistues.

Intervistoi Ivan Bllazhevski


XS
SM
MD
LG