Ndërlidhjet

E.HASANI: "NË ASNJË DOKUMENT NDËRKOMBËTAR KOSOVA NUK KA QENË PJESË E SERBISË"


Enver Hasani, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thoshte mospjesëmarrja e institucioneve të Kosovës në samitin e Selanikut?

ENVER HASANI
Unë mendoj se kjo mospjesëmarrje do të kishte dy pasoja kryesore. Në aspektin e brendshëm kjo mospjesëmarrje do të acaronte edhe më tutje raportet mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve. Kam frikë se vendorët do të ndërmerrnin ndonjë masë që edhe më tutje do t'i acaronte këto raporte dhe ndërkohë që në aspektin e jashtëm kjo do të thoshte izolim të mëtjeshëm të Kosovës dhe eliminim i Kosovës nga proceset kryesore integrative euro-atlantike, pa ekzistimin e të cilave mendoj se zgjidhja e çështjes së Kosovës në afat të gjatë thuajse është e pamundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Serbisë Zhivkoviç përsëriti në gazetën Vijesti të Podgoricës se nuk ka asnjë dokument ndërkombëtar që e definon Kosovën në mënyrën tjetër veçse si pjesë të Serbisë. Cili është komenti juaj për këtë?

ENVER HASANI
Mendoj se e kundërta është e vërtetë, përkatësisht se vetëm marrëveshja për Union Serbi Mali i Zi, e cila ka relativisht një legjitimitet të madh ndërkombëtar, është i vetmi dokument që pranon dhe njeh Kosovën si pjesë të Serbisë. Serbia, jam shumë i sigurt se kurrë në historinë e saj si shtet, nuk ka patur letra të cilat flasin për Kosovën si pjesë të saj. Ajo që serbët e interpretojnë si dokumentacion në favor të tyre, ku Kosova përmendet si pjesë e Serbisë, janë dokumentet kushtetuese të ish-Jugosllavisë së Titos, të cilat megjithatë nuk kanë kurrë një karakter dhe implikacion ndërkombëtar, sepse as Serbia nuk ka qenë shtet. Përkatësisht Serbia, Kosova dhe Mali i Zi dhe Maqedonia nuk kanë patur subjektivitet ndërkombëtar dhe kanë qenë të njëjta në këtë drejtim. Kështu që ajo që thotë kryeministri Zhivkoviç nuk është fare e vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në takimin në Ohër, UNMIK-u nënshkroi marrëveshjen me Maqedoninë për hapjen e dy vendkalimeve kufitare. Për hapjen e tyre Maqedonia nënshkroi gjithashtu marrëveshje edhe me Serbinë. Në Kosovë, Serbia u desovranizua me futjen e saj në protektorat ndërkombëtar. Por me përfshirjen e Kosovës në preambulën e Unionit Serbi-Mal i Zi, ajo sikur mbeti nën suverenitetin e Unionit të krijuar rishtazi. Si e vlerësoni ju pozitën e Kosovës në këtë kontekst?


ENVER HASANI
Unë mendoj se pozita e Kosovës sot për sot, gjykuar sipas marrëveshjes për Unionin Serbi Mali i Zi, e cila ka një legjitimitet të fortë ndërkombëtar, është mjaft e pafavorshme. Jo pse, siç edhe përmendët dhe ju, ka qenë fjala për desovranizim. Përkundrazi, Rezoluta 1244 për Kosovën dhe tërë bashkësia ndërkombëtare, edhe në momentet më kritike të sulmeve të NATO-s, kurrë nuk e kanë vënë në dyshim sovranitetin e ish- Jugosllavisë ndaj këtij territori, dhe më vonë kjo është dëshmuar me pranimin e kësaj marrëveshjeje, e cila përveç ndërrimit të emrit e ka pranuar si trashëgimtare të territorit të Kosovës, Serbinë dhe Malin e Zi. Kjo marrëveshje, lidhja dhe më vonë legjitimimi i saj përmes strukturave euro-atlantike, në radhë të parë përmes Këshillit të Evropës, me synim integrimin e këtij shteti bashkë me Kosovën edhe në strukturat tjera, mendoj se vetëm sa e acaron raportin me Kosovën dhe e pamundëson zgjidhjen fatlume të statusit final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Filantropi Xhorxh Soros tha se Unioni i Serbi-Mal i Zi u krijua si shmangie për t'u marrë me çështjen e Kosovës. Kur duhet të nisin negociatat për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.

ENVER HASANI
Unë mendoj se formulimin e shkakut për lidhjen e marrëveshjes Serbi –Mali i Zi nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të shprehet në mënyrë më lakonike sesa në deklaratën e zotit Soros. Është absolutisht e qëlluar dhe i përgjigjet realitetit të kësaj marrëveshjeje. Ndërsa sa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës, nga aspekti kohor është vështirë të përcaktohet. Hapja e çështjes së statusit të Kosovës dhe dinamika e tij përveç faktorëve në përgjithsësi, varet edhe nga zhvillimet në Bosnjë – Hercegovinë, fakt që tek ne neglizhohet shumë mjerisht sikur ngjarje të ndodhin në planet tjetër. Ndërkohë që zhvillimet atje kanë pasoja imediate edhe për statusin final të Kosovës. Përcakimi i saktë se kur do të bëhet zgjidhja e këtij statusi realisht është problem, por është i sigurt se ky status quo që është sot sikur është i vështrirë për t'u mbajtur dhe për një kohë të gjatë.


RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë ju duhet institucioneve të Kosovës për efikasitet në negociatat eventuale?

ENVER HASANI
Institucioneve të Kosovës që të kenë një efikasitet në negociata u duhet në rradhë të parë kredibilitet në sytë e qytetarëve të Kosovës, të cilin ato sot për sot nuk e kanë. Besoj se institucionet e Kosovës janë institucionet më jokredibile, jo vetëm këtu në Kosovë ta zemë po i krahasoj me institucionet paralele ose me ato të kohës së monizmit. Sigurisht që shumë më të besueshme kanë qenë ato sesa janë këto të tanishmet. Këto institucione mund të nënshkruajnë çfarëdo statusi të Kosovës, qoftë dhe atë të pavarësisë dhe e kanë problem për t'a bërë të efektshëm çdo zotim të marrë me nënshkrim. Në këtë aspekt bashkësia ndërkombëtare gabon kur edhe më tutje rrënon këtë, duke i izoluar institucionet e Kosovës duke mos i lejuar që të dalin jashtë, duke i ndëshkuar. Dhe me këtë dhe më shumë i rrënon institucionet e Kosovës dhe autoritetin e tyre në sytë e qytetarëve të Kosovës. Prandaj kushti i parë është që institucionet kosovare të jenë kredibile në sytë e qytetarëve, për të qenë të efektshme edhe mes zotimeve eventuale që mund të marrin ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe të tjerëve në rajon.

Intervistoi Lulzim Mjeku
XS
SM
MD
LG