Ndërlidhjet

KUR DHE SA KOMPETENCA DO TË BARTEN TEK VENDORËT?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara Mihael Shtajner dhe Kryeministri i qeverisë së Kosovës Bajram Rexhepi do të takohen këtë të mërkurë më 28 maj, për të diskutuar çështjen e bartjes së kompetencave nga UNMIK-u tek qeveria vendore. Ky takim i planifikuar për 16 maj qe shtyrë për shkak të mospajtimeve rreth kompetencave që duhen bartur. Këto fërkime vazhdojnë të mbeten aktuale edhe tani kur takimi i Këshillit për Bartjen e Kompetencave megjithatë u caktua. Zëdhënësja e UNMIK-ut Izabel Karlovic e mohon mundësinë që në takimin e Këshillit për Bartjen e Kompetencave, të diskutohet dhe për fillimin e bartjes së përgjegjësive të rezervuara për shefin e UNMIK-ut.
“Nuk ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e UNMIK-ut sa i përket bartjes së kompetencave. Për momentin, mund të flitet për bartjen e kompetencave të përcaktuara në kapitullin 5 të Kornizës Kushtetuese, pra kompetencave jo të rezervuara”, ka thënë Karlovic.
Në anën tjetër qëndrimi i qeverisë është që të diskutohet dhe për përgjegjësitë e rezervuara, ku përfshihen siguria, politika e jashtme, drejtësia, energjetika e çështje të tjera. Rexhep Hoti, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës thotë se për ato ministri, të cilat qeveria synon t’i ketë në të ardhmen, për momentin mund të hapen zyra të cilat do të bashkëdrejtoheshin nga UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës:
“Kërkojmë që të shkohet edhe me tutje në pjesët e rezervuara, jo të kërkojmë menjeherë për t'i marrë, por të kërkojmë një riorganizim për përgatitjen e kuadrove dhe zyrave të cilat do t’i paraprijnë proceseve që më vonë të jemi të gatshëm në formimin e ministrive të reja”, thotë Rexhep Hoti.
Hapja e bisedimeve për modalitetet e bartjes së kompetencave për këto fusha të pushtetit, sipas Rexhep Hotit, nuk nënkupton bartjen e menjëhershme të tyre tek qeveria vendore. Ai beson se megjithë qëndrimin e tanishëm të UNMIK-ut për përgjegjësitë e rezervuara, në takimin e së mërkurës Shtajner dhe Rexhepi do ta hapin dhe këtë çështje:
“Natyrisht që mund të flitet për këto modalitete, sepse ne s’kemi pse të mbidhemi aty, nëse nuk flasim për këto gjëra. Kjo do të thotë se në këtë fazë ne nuk jemi të interesuar të kërkojmë me çdo kusht marrjen e kompetencave të rezervuara, por të fillojmë proceset për themelimin e zyrave të cilat do të jenë bartëse kryesore, siç është ajo për marrëdhëniet me jashtë, sigurinë, tregtinë, energjetikën e tjera”, tha Rexhep Hoti, mirëpo Izabel Karlovic, thotë se aktualisht përveç caktimit të ditës së takimit, nuk është caktuar ende agjenda se çfarë do të bisedohet të mërkurën:
“Grupet e punës e kanë përfunduar punën e tyre dhe ato do të raportojnë para Këshillit për Bartje, mirëpo nuk mund të flas për agjendën, sepse ajo nuk është caktuar ende”, thotë Karlovic.
Takimi i të mërkurës do të jetë i dyti i nivelit më të lartë që mbahet lidhur me definimin e procesit të bartjes së kompetencave nga administrata ndërkombëtare tek institucionet vendore. Ky Këshill 14 anëtarësh ku 7 anëtarë janë të UNMIK-ut e po aq të qeverisë së Kosovës, bashkëkryesohet nga kryeadministratori Mihael Shtajner dhe Kryeministri Bajram Rexhepi.
XS
SM
MD
LG