Ndërlidhjet

logo-print

R. JOHNSON: "PËRPARA SE TË KEMI DEMOKRACI NË KOSOVË DUHET TË DIMË SE CILI ËSHTË STATUSI I SAJ"


Ross Johnson, ekspert pranë Institutit Hoover

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Johnson, cilat janë problemet kryesore në rajonin e ish –Jugosllavisë?

ROSS JOHNSON
Problemi kryesor në rajonin e ish –Jugosllavisë është që popujt dhe vendet e dala prej andej të hedhin të shkuarën pas krahëve dhe të bëhen pjesë e perëndimit dhe e Bashkimit Evropian. Kjo është perspektiva për të gjithë rajonin e ish- Jugosllavisë

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë faze është procesi i ndërtimit të shteteve në këtë rajon?

ROSS JOHNSON
Procesi i ndërtimit të shteteve në këtë zonë është i ndryshëm nga njëri vend në tjetrin. Mendoj se Sllovenia është vendi që ka ecur më përpara në këtë drejtim. Ndërsa përparimin më të vogël në këtë proces mendoj se e kanë Kosova dhe Bosnjë Hercegovina. Ndërsa në Maqedoni mendoj se kemi një kompromis jo të lehtë sa i përket gjendjes së brendshme dhe kjo lidhet me marrëdhëniet mes shumicës sllave maqedonase dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Është një kompromis i brendshëm politik që është i vështirë. Ky kompromis është nxitur nga jashtë dhe pikërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa perëndimore.
Mendoj se të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre që ta ruajnë këtë kompromis, sepse vetëm me marrëveshje ndërmjet këtyre grupeve mund të mbijetojë Maqedonia. Dhe është shumë e rëndësishme që ajo të mbijetojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Refugjatët dhe të zhvendosurit janë ende në diskutimet e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia. Si e shihni të ardhmen e këtij problemi?

ROSS JOHNSON
Çdokush, i cili sot është refugjat dhe dëshiron të kthehet atje ku ka jetuar më parë, duhet të lejohet të bëjë një gjë të tillë dhe nuk i duhet krijuar asnjë pengesë.
Por për shumë njërëz, që janë refugjatë në vende të tjera është e llogjikshme që t'i ndihmojmë ata, atje ku janë sot. Dhe mendoj se një nga gjërat që ka munguar ka qenë mbështetja për ta atje ku janë.
Për shembull refugjatët serbë në Serbi përfaqësojnë një problem të lënë pas dore. Në fakt shumë më tepër përpjekje duhen bërë nga bashkësia ndërkombëtare të ndihmojnë veçanërisht refugjatët serbe nga Bosnja dhe Kroacia që janë në Serbi. Por natyrisht ndihma për refugjatët atje ku janë duhet të vlejë dhe për të tjerët në vende të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni politikën evropiane për rajonin?

ROSS JOHNSON
Nëse e shohim me kujdes mendoj se politika evropiane është një politikë pozitive, pasi qëllimi i saj është të nxisë lëvizjen e këtyre vendeve drejt Bashkimit Evropian. Shpresoj se do të ketë më shumë përpjekje lidhur me shtysën që u duhet dhënë Serbisë, Kosovës, Bosnjës për të ecur drejt Evropës perëndimore.
Është e rëndësishme që BE-ja dhe SHBA-të t'i kushtojnë më shumë vëmendje nxitjes së integrimit të tyre.
Këto vende duhen trajtuar më shumë si shtete shembull. Nëse e krahasojmë nivelin e Bullgarisë sot me vendin e Serbisë, atëherë e kuptojmë se duhet më shumë vëmendje për vendet e dala nga ish-Jugosllavia.
Këto vende nuk duhen të harrohen, ndërsa edhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor po nxiten drejt BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush cila është e ardhmja e Kosovës dhe cili është qëndrimi i administratës ndërkombëtare në këtë çështje?

ROSS JOHNSON
Sipas meje bashkësia ndërkombëtare duhet t'i drejtohet çështjes së të ardhmes së Kosovës dhe statusit të saj më mirë herët se sa vonë.
Mendoj se përpara se të kemi demokraci të vërtetë në Kosovë, përpara se të kemi një ekonomi tregu atje, apo përpara se të vijnë investimet serioze nga jashtë, duhet të bëhet e qartë çfarë është Kosova dhe cili do të jetë statusi i saj.
Mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të diskutojë këtë çështje më herët se sa kanë qenë debatet rreth kësaj teme. Kjo çështje nuk mund të lihet mënjanë pafundësisht, pasi ky do të ishte vërtet një gabim. Për momentin mendoj se administrata amerikane ka shumë shqetësime në pjesë të tjera të botës. Por kjo çështje ka nevojë për më shumë vëmendje.

Intervistoi Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG