Ndërlidhjet

E.HOXHAJ: "BISEDIMET E MUNDSHME NË SELANIK, MATJE E PULSIT MES PRISHTINËS E BEOGRADIT"


Enver Hoxhaj, profesor në Katedrën e Shkencave Politike në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, autoritetet ndërkombëtare në Kosovë janë duke insistuar në fillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe përmendet Samiti i Selkanikut si rast i mirë për t’i filluar bisedimet. Si e vlerësoni ju fillimin eventual të këtij dialogu?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që në Samitin e Selanikut do të jetë e pashmangshme mundësia që të zhvillohet një dialog mes Prishtinës e Beogradit, edhe pse kjo formë e dialogut nuk është diçka që është pritur nga forcat politike në Kosovë, ndoshta edhe nga faktori ndërkombëtar. Duket që në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kohëve të fundit është pjekur mendimi që sa më herët duhet filluar procesi i zgjidhjes së statusit final të Kosovës dhe takimet e mundshme në Selanik do të jenë vetëm një matje e pulsit në mes Prishtinës e Beogradit. Aty mund të bisedohet parimisht për disa aspekte të karakterit praktik dhe është faza e parë e dialogut me qëllim që të largohen disa paragjykime dhe thyhen disa barriera. Mirëpo sigurisht kjo nuk është faza intensive e dialogut ku vërtetë do të duhet të diskutohen dhe çështje madhore siç është statusi final.

RADIO EVROPA E LIRË


Ndërkohë duket se në Prishtinë nuk ka një koncensus të brendshëm rreth këtyre bisedimeve. Ndërsa kryeministri Rexhepi insiston në hartimin e një platforme para bisedimeve, kryetari i Kuvendit Daci, thotë se Qeveria është ajo e cila duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Beogradin. Si i shihni ju këto dallime dhe ç’farë efektesh mund të prodhojnë ato?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që mosprania e konsensusit është një element, i cili e ka karakterizuar jetën tonë politike që nga formimi i institucioneve të Kosovës. Mendoj që dialogu është një çështje aq madhore sa që nuk mund të merret pjesë në dialog pa e përcaktuar fillimisht se çfarë nënkuptojnë partitë tona politike me këtë dialog, cili do të duhej të jetë caku i këtij dialogu, cila do të duhej të jetë dinamika e këtij dialogu dhe cilët akterë politikë duhet të përfshihen në këtë dialog në faza të caktuara. Kështu që në atë drejtim mendoj se është mëse e nevojshme që institucionet e Kosovës të arrijnë një konsensus politik, të krijojnë një politikë afatgjatë, e cila do të shërbente jo vetëm për sqarimin e disa opinioneve sa i përket pjesëmarrjes së tyre në këtë dialog dhe fillimin e dialogut, por paralelisht të dilet me një platformë të qartë edhe karshi bashkësisë ndërkombëtare edhe karshi Beogradit se si e shohin zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, se cilat probleme konkrete duhet të adresohen në fazën fillestare, se cilat nga problemet konkrete janë prioritare. Kështu që në këtë drejtim mendoj se ideja e një platforme politike është mëse e nevojshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjithashtu, duke i pasur parasysh dhe përgjegjësitë që i ka sot Qeveria e Kosovës, sa ajo mund të konsiderohej palë e barabartë në bisedime me Beogradin?

ENVER HOXHAJ
Mjerisht institucionet e Kosovës jo vetëm për shkak të kompetencave të limituara, të cilat i kanë për momentin, mirëpo për shkak edhe të pozitës, të cilën UNMIK-u e posedon në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare, e kanë një rol jashtëzakonisht jo të barabartë. Praktikisht UNMIK-u është një përfaqësim i të gjitha shteteve më të fuqishme botërore, të cilat luajnë një rol të madh në Kombet e Bashkuara. Ky rol i dyfishtë i UNMIK-ut do të thotë se në tavolinën e bisedimeve UNMIK-u praktikisht do ketë dy pozita në formë paralele, do të flasë edhe në emër të kosovarëve edhe në emër të bashkësisë ndërkombëtare. Sigurisht një pozitë e tillë e UNMIK-ut i jep përparësi qeverisë në Beograd, i jep përparësi zyrtarëve në Beograd që ta caktojnë shpesh herë dinamikën e dialogut, e ndoshta edhe agjendën e dialogut. Në këtë drejtim mendoj që institucionet e Kosovës, njerëzit që do të duhej të marrin pjesë dhe do të marrin pjesë në këtë dialog do të duhet që nga fillimi ta qartësojnë këtë pozitë dhe mendoj se do të duhej të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht UNMIK-u që edhe ata t’i kenë disa limite gjatë procesit të dialogut.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund të kalojmë dhe në një çështje tjetër zoti Hoxhaj. Presidenti Bush publikoi këto ditë sërish një “listë të zezë” ku figurojnë emra njerëzish nga Kosova, Serbia e Maqedonia. Cilat sipas jush mund të jenë efektet e kësaj liste sa i përket rajonit?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që të gjithë faktorët politik relevant, por edhe të gjitha grupet e mundshme, të gjitha strukturat e mundshme të cilat synojnë të krijojnë realitete të reja politike, të ndryshojnë realitete të reja politike, ose kanë programe të ndryshme politike, do të duhej ta kenë njëherë e përgjithmonë të qartë që dhuna si mjet politik është një mjet i cili për momentin është i tejkaluar me qëllim që të arrihen caqet e ndryshme politike. Kështu që përfshirja e mundshme e shumë njerëzve në lista të tilla besoj se do të duhej të kuptohej një mesazh i mirë për të gjithë faktorët politik relevant, se cilat janë trendet politike në Kosovë, cilat janë trendet politike në rajon e botë dhe në çfarë forme do të duhej përmes mjeteve politike, përmes një qasjeje shumë të hapur dhe në bashkëpunim me faktorin amerikan të mbërrihen disa qasje të caktuara politike.

Intervistoi: Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG