Ndërlidhjet

ILIR META:" BILANCI I MARRËDHËNIEVE SHQIPËRI-KOSOVË ËSHTË POZITIV"


Ilir Meta, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është arsyeja e vizitës së zotit Michael Shtajner në Tiranë?

ILIR META
Mendoj se kjo është një vizitë, e cila duke u zhvilluar në prag të samitit të Selanikut, natyrisht që ka në qendër të vëmendjes së saj edhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor parë nga këndvështrimi i samitit të ri.
Sigurisht që do të diskutojmë për marrëdhëniet me Kosovën, do të bëjmë një follow-up që nga vizita e tij e fundit në Shqipëri, dhe bilanci mendoj se është pozitiv. Ne do të synojmë që të nënshkruajmë sa më shpejt marrëveshjen për tregtinë e lirë, e cila është në proces. Do të hapim pika të reja të kalimit kufitar dhe të shikojmë për një bashkëpunim të dobishëm bilateral.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ministër, cili është vlerësimi juaj për punën e deritanishme të kryeadministratorit Shtajner në Kosovë?

ILIR META
Ne kemi bërë vlerësime të vazhdueshme për angazhimin e
kryeadministratorit Shtajner. Dua të theksoj se kemi shprehur në vazhdimësi vullnetin tonë për të bashkëpunuar me kryeadministratorin Shtajner. Ne e kemi vlerësuar vizionin e tij për marrëdhëniet me fqinjët. Na ka ardhur keq për vështirësitë që ka hasur në këtë drejtim. Por jemi të sigurt se asnjëherë asnjë vështirësi nuk ka ardhur dhe nuk do të vijë nga ne, pasi kemi qenë shumë të hapur me zotin Shtajner, ashtu sikurse kemi qenë partnerë shumë të hapur me drejtuesit dhe institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Së shpejti do të zhvillohet samiti i Bashkimit Europian në Selanik. Çfarë pret Shqipëria nga ky samit?

ILIR META
Ne besojmë se Samiti i Selanikut do të ketë rezultate
konkrete dhe do të jetë produktiv në drejtim të europianizimit të Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë se
ai do të arrijë të pasurojë procesin e Asociim-Stabilizimit me elementë të rinj të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, që do të thotë se do të bëjë më të qartë ekuivalentimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, apo marrëveshjet evropiane siç quhen ndryshe, duke qartësuar edhe më tej se nuk do të ketë nevojë edhe për një marrëveshje tjetër ndërmjet asaj të Stabilizim-Asociimimit dhe asaj të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Veç kësaj ne besojmë se ky samit do të marrë angazhime konkrete dhe financiare nga më të suksesshmet të Stabilizim-Asociimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Diplomacia shqiptare ka këmbëngulur që Kosova të përfshihet në këtë samit. Cilat janë argumentet mbështetëse?

ILIR META
Ky është një samit që i kushtohet Ballkanit Perëndimor, dhe Kosova i takon Ballkanit Perëndimor, dhe njëkohësisht Kosova ka treguar tashmë se e shikon të ardhmen e saj si pjesë e të ardhmes europiane të këtij rajoni. Pavarësisht se Kosova ka qenë e ftuar përmes përfaqësuesit të saj special në samitin e mëparshëm të Zagrebit, në këtë përfaqësim duhet të kihet parasysh dhe një realitet i ri i krijuar gjatë këtyre tre viteve, kur atje janë krijuar institucione të reja përfaqësuese; pra përveç shefit të UNMIK-ut, edhe përfaqësuesit e drejtuesit e institucioneve të reja të zgjedhura gjatë kësaj periudhe. Megjithëse janë bërë hapa përpara siç është edhe krijimi i mekanizimave mes Bashkimit Europian dhe Kosovës, del e nevojshme të bëhet edhe më e qartë, institucionalizimi i Kosovës në procesin e Stabilizim-Asociimit.

Intervistoi Alma Çupi
XS
SM
MD
LG