Ndërlidhjet

EVIAN


Shtatë vendet më të industrializuara dhe Rusia sot u bënë thirrje Iranit dhe Koresë së Veriut t'i pakësojnë programet e tyre bërthamore.
Në deklaratën e lëshuar pas samitit në pushimoren franceze Evian, grupi G8 i quajti armët e shkatërrimit në masë kërcënim kryesor për njerëzimin.
Deklarata tha se bashkësia ndërkombëtare duhet t'i përdorë inspektimet e armëve, kontrollin e eksportit "dhe nëse e do nevoja, edhe masa tjera", të cilat nuk janë specifikuar.
Në një deklaratë të veçantë G8 u bënë thirrje vendeve të botës të mos lejojnë që raketat kundër ajrore të bien në duart e terroristëve.
Lidhur me çështjet ekonomike, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush i tha samitit se Uashingtoni nuk planifikon të intervenojë në tregun e parave apo të mbështesë vlerën e dollarit. Ai gjithashtu tha se i mbetet besnik politikës së tij të dollarit të fortë.
Presidenti amerikan sot u takua me presidentin e Francës Jacques Chirac, për herë të parë pas mospajtimeve rreth luftës në Irak.
Bush tha se përkundër mosmarrëveshjeve, Shtetet e Bashkuara dhe Franca tani kanë një qëndrim rreth Irakut.
"Sa i përket Irakut të lirë dhe prosperues, ne jemi dakord. Do të punojmë së bashku për të siguruar që irakienët tani ta kenë kapacitetin për ta qeverisur vendin e tyre", tha presidenti Bush.
Chirac e cilësoi takimin si "pozitiv", të përshkuar me "bindje të përbashkët".
Dy liderët gjithashtu janë dakorduar që forcat speciale franceze t'u bashkangjiten forcave respektive amerikane në Afganistan.
Zëdhënësja e presidentit francez Catherine Colonna tha se vendimi i marrë në samitin në Evian, korrespondon me dëshirën e dy vendeve "për t'i kontribuar stabilizimit në Afganistan".
XS
SM
MD
LG