Ndërlidhjet

NË BRUKSEL THUHET SE PËRBËRJA E DELEGACIONIT TË KOSOVËS DO TË JETË SHUMËETNIKE


Augustin Palokaj

Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel kanë pohuar sot se ende nuk është sqaruar forma e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Selanikut që zhvillohet më 21 qershor. Sipas këtyre burimeve, vizita e nesërme e Javier Solanës në Prishtinë do të ndihmojë që të sqarohet edhe kjo gjë. Këtë e ka konfirmuar sot edhe zëdhënësja e zotit Solana, Kristina Gallach, e cila tha se njëri ndër qëllimet e vizitës së Solanës në Kosovë është dhe përgatitja e Samitit të Selanikut, krahas njohjes me situatën në terren. Solana, përveç kësaj, pritet që në Prishtinë të testojë gadishmërinë e institucioneve të Kosovës dhe të liderëve politikë për dialog me fqinjët e në veçanti me Beogradin. Për këtë arsye Solana do të vizitojë jo vetëm Prishtinën, por edhe Podgoricën dhe Beogradin. Edhe pse nuk pranojnë ta thonë publikisht, shumë zyrtarë të lartë të BE-së pohojnë se gadishmëria për të biseduar me Beogradin, është një lloj kushti për liderët shqiptarë të Kosovës që dikush nga ta të ftohet në Samitin e Selanikut. Ai samit do të jetë vend ku do të dëshmohet uniteti i BE-së dhe i rajonit, dhe është vështirë të paramendojmë se aty mund të kemi në tryezë njerëz, të cilët nuk dëshirojnë të flasin me njëri tjetrin, thotë një zyrtar i BE-së. Burime të Bashkimit Evropian megjithatë thonë se nuk duken reale spekulimet se në Selanik do të ftohet ndonjë delegacion shumë i madh në numër nga Kosova, sepse tani për tani dominon ende ideja se Kosovën në atë samit ta përfaqësojë kryeadministratori Michael Steiner në cilësinë e vëzhguesit, ndërsa në delegacionin e tij do të jenë edhe kryeministri Bajram Rexhepi dhe Këshilltari për Kthim Todoroviç. Vizita e Solanës do të sqarojë pak edhe këtë dilemë, por Solana përkundër ndikimit të tij të madh si përfaqësues i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, nuk është ai që merr vendimin e fundit për këtë, sepse ftesat dërgohen nga presidenca greke e BE-së me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare.
XS
SM
MD
LG