Ndërlidhjet

logo-print

FREEDOM HOUSE: "NË SHQIPËRI DHE BOSNJE-HERCEGOVINË ËSHTË SHËNUAR PËRMIRËSIM NË SUNDIMIN E LIGJIT"


Jeffrey Donovan - Washington

Një raport i ri për botën post-komuniste thotë se demokracia dhe të drejtat e njeriut në Evropën Lindore dhe shtetet balltike po përmirësohen, por po keqësohen në Rusi, Azinë Qendrore dhe Kaukaz. Organizata amerikane Freedom House detajizon studimin e saj që mat përparimin demokratik, me anë të ekspertëve dhe studiuesve nga e gjithë bota. Zëdhënësi i Freedom House, Michael Goldfarb i tha Radios Evropa e Lirë se këtë vit ka pasur më së shumti përmirësime të dëshmuara në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe në ato të Ballkanit. "Me përjashtim të rajonit të Balltikut, shumica e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik vazhdojnë të mbeten mbrapa", tha Goldfarb.
Raporti kritikon veçanërisht Rusinë, duke i quajtur "shqetësuese" trendet e atjeshme aftagjata, dhe duke bindur presidentin e Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush, që ta diskutojë këtë çështje me homologun e tij Vladimir Putin. Raporti e akuzon Putinin se e ka përqëndruar pushtetin përreth vetes dhe përmend korrupsionin e përhapur si dhe mungesën e zgjedhjeve me të vërtetë të lira në Rusi. Sipas raportit, shoqëria civile ruse mbetet e margjinalizuar dhe mediat gjenden nën kërcënim të vazhdueshëm. Studimi i Freedom House-it sheh demokratizim të rëndësishëm në Gjeorgji, Kazakistan dhe Kirgizstan. Raporti thotë se vetëm Bosnje-Hercegovina arriti një përparim të rëndësishëm demokratik në vitin 2002.
Sa për sundimin e ligjit, përmirësime tregohen të jenë bërë në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Hungari, Lituani, Rusi dhe Ukrainë. Raporti thotë se me disa përjashtime, viti i kaluar për Evropën Juglindore qe më i frytshmi. Maqedonia tregoi shenja pozitive të përmirësimit pas kryengritjes së brendshme më 2001. Raporti lëvdon përparimin në media, shoqëri civile dhe në luftimin e korrupsionit në Serbi dhe Malin e Zi, ndërsa pati vendnumërim në frontin politik. Për Tiranën, zëdhënësi Goldfarb thotë se Shqipëria e vendosi luftën kundër korrupsionit si prioritet kryesor më 2002. Ajo hartoi një plan të detajuar për vazhdimin e reformave në fushat si administrata publike, financat dhe një transparencë gjithëpërfshirëse në qeveri, thotë Goldfarb.
Së fundi, prapambetje në sundimin e ligjit janë vërrejtur në Gjeorgji, Moldavi dhe Kroaci. Zagrebi dështoi ta reformojë gjyqësorin e vet dhe t'i ndjekë krimet e luftës, thotë raporti i organizatës Freedom House.

XS
SM
MD
LG