Ndërlidhjet

logo-print

M. STEINER DHE B. REXHEPI E DËNOJNË ASHPËR VRASJEN E TREFISHTË NË KASTRIOT


Rrahman Paçarizi

Tre anëtarë të familjes Stoliq nga Kastrioti, përkatësisht Obiliqi, e kanë humbur jetën mbrëmë, ndërsa shtëpia e tyre është djegur.
“Ky është një krim kundër multietnicitetit në Kosovë”, ka thënë sot kryeadministratori i Kosovës Michael Steiner, në oborrin e shtëpisë së djegur të familjes Stoliq, tre prej të cilëve kanë humbur jetën. Një zëdhënës i UNMIK-ut, Andrea Angeli ka thënë se tre pjesëtarët e familjes Stoliq nga Kastrioti, përkatësisht Obiliqi, Slobodani dhe Radmilla rreth të pesëdhjetave dhe djali i tyre njëzet vjeçar Ljubinko, janë vrarë së pari, pasi në trupat e tyre janë gjetur shenja të goditjes me sëpatë, e më pas shtëpisë së tyre i është vënë zjarri. Sipas banorëve lokalë, e tëra ka ndodhur rreth orës tre pas mesnate, por ata nuk kishin vënë re ndonjë gjë të pazakonshme më herët. Sot në Obiliq kanë shkuar kryeadministratori Steiner dhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, të cilët janë pritur me reagime të ashpra të serbëve vendas.
Pasi nuk janë lejuar të hyjnë në shtëpinë e djegur të familjes Stoliq, Steiner dhe Rexhepi, po në oborrin e kësaj shtëpie e kanë quajtur krim të rëndë ngjarjen e mbrëmshme, duke e quajtur të arsyeshëm zemërimin e serbëve lokalë. “Unë dhe kryeministri jemi të zemëruar, pasi ky është një akt i tmerrshëm, një krim perfid i drejtuar kundër multietnicitetit në Kosovë dhe neve këtu na duhet drejtësia dhe duhet të gjejmë përgjegjësit”, tha zoti Steiner, duke njoftuar disa masa që janë ndërmarrë.
Sipas tij policia do të formojë një njësit të veçantë që do ta hetojë rastin, ndërsa përfaqësuesi i policisë do t’i raportojë drejtpërdrejtë për rastin zotit Steiner dhe kryeministrit Rexhepi. Autopsinë do ta kryejnë ndërkombëtarët, me praninë e një mjeku serb, ndërsa në Obiliq do të shpallet ditë zie. Zoti Steiner tha gjithashtu se do të shtohen masat e sigurisë, gjë që u prit me fishkëllima nga serbët. “Unë jam posaçërisht i zemëruar, pasi në Obiliq kishim një përparim të madh në të kaluarën dhe kemi pasur edhe të kthyer, ndërsa jeta e përbashkët e komuniteteve po shkonte mirë”, tha Steiner, duke vlerësuar se ky akt është i drejtuar kundër jetës së përbashkët të komuniteteve.
Ndërsa, kryeministri Rexhepi tha se ky është një akt i ulët barbar, kushdo që ta ketë bërë.
“Sigurisht se kushdoqoftë që e ka bërë është simptomatike, sepse në kohën kur pritet kthimi i 20 familjeve në Obiliq dhe para vizitave të rëndësishme, ndodhin gjëra monstruoze, prandaj me forca të përbashkëta duhet ta mundim krimit dhe duhet të vendoset rendi dhe lëvizja e lirë për të gjithë”, tha kryeministri Rexhepi, duke premtuar se institucionet e Kosovës do t’ia dalin ta bëjnë këtë.
Ndërkaq, Nenad Radosavlejeviq, këshilltar në zyrën e zotit Steiner për kthim dhe komunitete tha se do të kërkojë ndërprerjen e të gjitha kompetencave të institucioneve të përkohshme dhe vendosjen e një protektorati absolut në Kosovë. “Do të kërkoj dorëheqjen dhe përgjegjësinë e shefit të policisë dhe komandantit të KFOR-it në këtë sektor dhe dorëheqjen e kryeministrit Bajram Rexhepi si akt moral”, tha Nenad Radosavljeviq, duke theksuar se në Kosovë ka obstruksione ndaj kthimit të të zhvendosurve.
Zoti Steiner më pas ka shkuar në ndërtesën e komunës në Obiliq ku ka biseduar me zyrtarë komunalë. Ndërkohë qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë ku akti është quajtur barbar dhe është thënë se kjo nuk është hera e parë që në prag të vizitave të rëndësishme ndërkombëtare në Kosovë ndodhin akte të tilla kriminale, që kanë për qëllim të njollosin imazhin, punën dhe rrugën e proceseve pozitive të gjithëmbarshme të Kosovës.
XS
SM
MD
LG