Ndërlidhjet

B. REXHEPI: "DELEGACIONI KOSOVAR DUHET TË KETË KONSENSUS TË BRENDSHËM PARA SAMITIT TË SELANIKUT"


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë debatin rreth përfaqësimit të Kosovës në Samitin e Selanikut për javën tjetër, pasi është vlerësuar se ende ka shumë paqartësi, si rreth pozitës që do ta ketë Kosova në këtë samit, ashtu edhe rreth bisedimeve të paralajmëruara që do të fillojnë atje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, tha pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, se gjërat do të qartësohen sot dhe nesër, pas bisedimeve që autoritetet më të larta vendore e ndërkombëtare do të zhvillojnë në Prishtinë me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Siguri dhe
Politikë të Jashtme, Javier Solana. Kryeministri Rexhepi tha se ai do të insistojë që Kosova të ketë pozitë më të favorshme në kuadër të procesit të Asociim –Stabilizimit në këtë samit:
“Në një mënyrë ne jemi të prezantuar si entitet i veçantë përmes mekanizmit përcjellës, i cili dallohet nga Asociim-Stabilizimi, për arsye se kjo është në nivelin teknik dhe nuk përmban komponentin politik. Ne do të këmbëngulim që të përfshihet edhe komponenti politik, pra të jemi në këto rrjedha dhe sigurisht që Kosova duhet të jetë si entitet i veçantë bashkë me të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Rexhepi, sipas të cilit edhe në takimin e djeshëm të zotit Steiner me autoritetet në Tiranë, është shprehur pëlqimi që Kosova ta ketë pozitën e vet të barabartë në këtë samit krahas vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë në Prishtinë vazhdojnë problemet lidhur me përbërjen e delegacionit, i cili do ta përfaqësonte Kosovën në Selanik, për shkakun se subjektet përbërëse të koalicionit qeveritar ende nuk kanë qëndrim unik rreth bisedimeve të paralajmëruara me Beogradin. Kryeministri Rexhepi, kërkoi sot sërish një konsensus të brendshëm politik para se të fillohen bisedimet:
“Ende nuk është përcaktuar ekipi, i cili do ta prezantojë Kosovën në Selanik. Sido që të vendoset ne jemi të gatshëm dhe është shumë mirë që paraprakisht të kemi një konsensus për disa çështje, të cilat janë të rëndësisë së veçantë. Janë dëgjuar mjaft prononcime dhe mendoj se deri diku ekziston një afërsi, si e subjekteve politike ashtu edhe e institucioneve”, tha zoti Rexhepi.
Ndërkohë në Prishtinë, përveç rëndësisë së veçantë që po i kushtohet vizitës së zotit Solana, në qendrat e këtushme politike është paralajmëruar dhe mundësia që ditëve të ardhshme të mbahet një takim ndërmjet nënshkruesve të marrëveshjes për bashkëqeverisjen, ku bëjnë pjesë udhëheqësit e institucioneve vendore dhe liderët e tre partive më të mëdha shqiptare të Kosovës.
XS
SM
MD
LG