Ndërlidhjet

R.HARNISH:"AKTE TË TILLA KTHEJNË PRAPA PËRPARIMIN POLITIK NË KOSOVË"


Rrahman Paçarizi

“Ky është një krim kundër multietnicitetit në Kosovë”, ka thënë sot kryeadministratori i Kosovës Michael Steiner, në oborrin e shtëpisë së djegur të familjes Stoliq, tre prej të cilëve kanë humbur jetën. Një zëdhënës i UNMIK-ut, Andrea Angeli ka thënë se tre pjesëtarët e familjes Stoliq nga Kastrioti, përkatësisht Obiliqi, Slobodani dhe Radmilla rreth të pesëdhjetave dhe djali i tyre njëzet vjeçar Ljubinko, janë vrarë së pari, pasi në trupat e tyre janë gjetur shenja të goditjes me sëpatë, e më pas shtëpisë së tyre i është vënë zjarri. Sipas banorëve lokalë, e tëra ka ndodhur rreth orës tre pas mesnate.
Sot paradite ndërkaq në Obiliq kanë shkuar kryeadministratori Steiner dhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, të cilët janë pritur me reagime të ashpra të serbëve vendas.
Pasi nuk janë lejuar të hyjnë në shtëpinë e djegur të familjes Stoliq, Steiner dhe Rexhepi, po në oborrin e kësaj shtëpie e kanë quajtur krim të rëndë ngjarjen e mbrëmshme:
“Unë dhe kryeministri jemi të zemëruar, pasi ky është një akt i tmerrshëm, një krim perfid i drejtuar kundër multietnicitetit në Kosovë dhe neve këtu na duhet drejtësia dhe duhet të gjejmë përgjegjësit”, tha zoti Steiner, duke njoftuar disa masa që janë ndërmarrë, përfshirë edhe formimin e një njësiti të veçantë që do ta hetojë rastin.
Ndërsa, kryeministri Rexhepi tha se ky është një akt i ulët barbar, kushdo që ta ketë bërë:
“Sigurisht se kushdoqoftë që e ka bërë është simptomatike, sepse në kohën kur pritet kthimi i 20 familjeve në Obiliq dhe para vizitave të rëndësishme, ndodhin gjëra monstruoze, prandaj me forca të përbashkëta duhet ta mundim krimit dhe duhet të vendoset rendi dhe lëvizja e lirë për të gjithë”, tha kryeministri Rexhepi, duke premtuar se institucionet e Kosovës do t’ia dalin ta bëjnë këtë.
Ndërkaq, Nenad Radosavlejeviq, këshilltar në zyrën e zotit Steiner për kthim dhe komunitete tha se do të kërkojë ndërprerjen e të gjitha kompetencave të institucioneve të përkohshme dhe vendosjen e një protektorati absolut në Kosovë.
“Do të kërkoj dorëheqjen dhe përgjegjësinë e shefit të policisë dhe komandantit të KFOR-it në këtë sektor dhe dorëheqjen e kryeministrit Bajram Rexhepi si akt moral”, tha Nenad Radosavljeviq, duke theksuar se në Kosovë ka obstruksione ndaj kthimit të të zhvendosurve.

Aktin e vrasjes së trefishtë në Kastriot e ka dënuar sot edhe kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, duke quajtur atë akt të drejtuar kundër stabilitetit, qetësisë dhe prosperitetit të Kosovës dhe të ardhmes së vendit tonë. Duke i shprehur ngushëllime familjes Stoliq, kryetari Rugova ka kërkuar kapjen e personave që kanë kryer krimin dhe nxjerrjen para drejtësisë.
Ndërkaq, përmes një komunikate, shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Reno Harnish ka thënë se është i tmerruar nga kjo vrasje brutale:
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara fuqimisht dënon këtë sulm, jo vetëm për shkak të vrasjeve të tmerrshme që janë bërë, por gjithashtu sepse përfaqëson një goditje gjithëpërfshirëse në vlerat, të cilat Amerika dhe partnerët e saj evropianë i konsiderojnë të rëndësishme dhe për të cilat ne luftuam në Kosovë më 1999. Aktet e tilla”- vazhdon z. Harnish -“kthejnë prapa përparimin politik në Kosovë në kohën kur një përparim kuptimplotë është duke u bërë në përmbushjen e standardeve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, UNMIK-u dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Ndërkohë qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë ku akti është quajtur barbar dhe është thënë se kjo nuk është hera e parë që në prag të vizitave të rëndësishme ndërkombëtare në Kosovë ndodhin akte të tilla kriminale, që kanë për qëllim të njollosin imazhin, punën dhe rrugën e proceseve pozitive të gjithëmbarshme të Kosovës.
XS
SM
MD
LG