Ndërlidhjet

VIKTIMA NË AKSIONET E FUNDIT TË MPB-SË NË MAQEDONI


Sefer Tahiri, Shkup

Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se sot në orët e hershme është ndërmarrë një aksion në fshatin Rakovec të Tetovës, i realizuar nga njësi të përziera policore me qëllim që të arrestohen siç u quajtën, pjesëtarë të grupit kriminel, të cilin e udhëheq Sahit Rushiti.
" Në kuadër të një aksioni më të gjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas marrjes së informacionit se parmbrëmë në fshatin Pirok është rregjistruar një përleshje mes dy grupeve kriminele, ku është plagosur Sahit Rushiti, i akuzuar për shumë vepra të rënda penale, është ndërmarrë një aksion policor, por Sahit Rushiti ka qenë i pakapshëm. Gjatë këtij aksioni ka humbur jetën Afije Skënderi 26 vjeçare", theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme Mirjana Kontevska, duke shtuar se për këtë aksion ka dhënë mbështetje edhe popullata lokale shqiptare. Ndërkohë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare theksuan se për këtë aksion ka qenë i njoftuar edhe komuniteti ndërkombëtar në vend.
" Aksioni ka patur për qëllim arrestimin e njërit prej udhëheqësve të grupeve më të mëdha kriminale për të cilin është lëshuar fletarrest ndërkombëtar për veprën vrasje", njoftoi zëdhënësi i OSBE-së Wolfgang Greven, duke shtuar se në vend veprojnë disa grupacione të armatosura, që kanë motive kriminele dhe terrorizojnë popullatën vendase.
Policia njofton se gjatë një aksioni tjetër në fshatin Ladorishtë të Strugës është arrestuar Halil Huseini, për të cilin gjithashtu u tha se është udhëheqës i një grupi kriminel, kurse në një lagje të Tetovës është plagosur Bajram Jashari, 60-vjeçar i cili ka marë plagë të rënda nga armë zjarri. Duke u përgjigjur për pyetjen se si i vlerëson informacionet se në rajonet e mëparshme të krizës bëhet mobilizimi i popullatës shqiptare, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mirjana Kontevska tha :
" Informacionet se bëhet mobilizim në terren nuk janë të vërteta, pasi gjendja është nën kontroll. Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë vlerësuar se edhe pas ngjarjeve të fundit, gjendja e sigurisë në Maqedoni është e qetë."
"Në përgjithësi gjendja e sigurisë në Maqedoni është stabile dhe nuk jemi të brengosur", ka konstatuar Torbian Stroellson, zëvendës i ambasadorit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, Alex Broons.
Stroellson nënvizoi se komuniteti ndërkombëtar nuk i konsideron si shumë serioze kërcënimet individuale.
XS
SM
MD
LG