Ndërlidhjet

NË SAMITIN E SELANIKUT DO MARRIN PJESË RUGOVA DHE REXHEPI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Rexhepi do të jenë bashkudhëtarë të kryeadministratorit Steiner në Samitin e Selanikut më 21 qershor, ka bërë të ditur sot përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana pas takimeve që ka pasur me kryetarin Rugova dhe me kryeministrin Rexhepi.
"Në samitin e shkuar të BE-së Kosova nuk mori pjesë, ndërsa tani ne duam që kryetarin, kryeministrin dhe një delegacion nga Kosova ta kemi në Selanik”, tha Solana, duke e vlerësuar samitin si shumë të rëndësishëm, si një ngjarje që nuk ndodh shpesh dhe është një mundësi e mirë për secilin vend që të avancojë interesat e veta.
“Ne shpresojmë se kjo pjesëmarrje do të jetë impuls për dy gjëra, e para që vendet e rajonit të jenë më afër Bashkimit Evropian dhe e dyta që vendet e rajonit të jenë më afër njëri-tjetrit”, tha zoti Solana, para se të shkonte për t’u takuar me kryeparlamentarin Nexhat Daci.
Ndërkaq, kryetari Rugova, tha se pikërisht afrimi me proceset në BE është synim i Kosovës.
“Kërkova nga zoti Solana të jemi më aktivë në procesin e Asociim-Stabilizimit në BE dhe biseduam edhe për çështje të tjera, para së gjithash që Kosova të ecë sa më shpejt drejt integrimeve”, tha Rugova duke shpresuar në përkrahjen personale të zotit Solana në këtë drejtim, siç tha ai.
Pjesëmarrjen në Selanik e ka quajtur të rëndësishme edhe kryeministri Rexhepi:
“Pritjet tona, realiteti që na pret në Selanik është moment i rëndësishëm. Ne i paraqitëm kërkesat dhe mendojmë se duhet të inkurajohemi më shumë për inkuadrim në BE”, tha Rexhepi.
Sidoqoftë, Solana ka thënë se detajet lidhur me përbërjen e delegacionit kosovar dhe agjendën e Selanikut mund ta bëjë të ditur në një konfrerencë për shtyp në pasditen e hershme, pasi të jetë takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, përfaqësues të serbëve Todoroviq e Radosavljeviq, si dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Fabio Mini.
XS
SM
MD
LG