Ndërlidhjet

logo-print

THIRRJET E SERBISË PËR PAVARËSI MUND TA NGADALËSOJNË ANËTARËSIMIN NË BASHKIMIN EVROPIAN


JULIA GESHAKOVA

Bashkimi Evropian insiston se Serbia dhe Mali i Zi mund të ekzistojnë së bashku, por ithtarët e një Serbie të pavarur thonë se ky shtet thjesht nuk do të funksionojë. Përçarja është e pashmangshme, thonë ata, duke shtuar se kjo do të ishte në interesin e të dyja palëve.
Mladjan Dinkiç, guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë, thotë se përpjekja për harmonizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, të cilat kanë tregje të ndara, banka qendrore të veçanta, taksa, sisteme të doganave dhe valuta të ndryshme, është mision i pamundur.
Dinkiç është zëvendës udhëheqës i grupit opozitar G 17, i cili së voni e mbështet idenë e pavarësisë. Partia G17 Plus është një parti politike relativisht e re, që i tubon ekspertët e njohur me renome ndërkombëtare.
Miroljub Labus, lider i grupit dhe ish zëvendës-kryeministër i Jugosllavisë, ishte ndër nënshkruesit e marrëveshjes së Beogradit, e cila e krijoi unionin e lirshëm të shteteve Serbia dhe Mali i Zi. Labus tani thotë se unioni vetëm do ta ngadalësojë përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
"Bashkimi Evropian insiston në dy kondita që nuk mund të përmbushen. Kërkon që bashkësia e dy shteteve të vazhdojë procesin e aderimit drejt unionit, dhe njëkohësisht të jetë funksionale. Meqë bashkësinë nuk mund ta bëjmë funksionale, atëherë lind pyetja nëse kjo politikë është realiste", thotë Labus.
Mali i Zi e kërkonte pavarësinë para se shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Havier Solana, të ndërmjetësonte në marrëveshjen e arritur. Solana tani gjendet në rajon për t'i zbutur marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës, në prag të samitit të Bashkimit Evropian në Selanik. Liderët evropianë atje pritet t'i diskutojnë prioritetet për Ballkanin Perëndimor.
Bashkimi Evropian ka thënë se 5 shtetet e Ballkanit Perëndimor, Kroacia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia dhe Mali i Zi, ardhmërinë e kanë në Union.
Gjatë fundjavës, G-17 Plus e filloi fushatën për të siguruar mbështetjen për konceptin e tyre të pavarësisë, për një shtet funksional të Serbisë. Fushata filloi në mbi 100 vendbanime të Serbisë me moton "Serbia në vend të parë".
Partia Demokratike e kryenministrit serb Zoran Zhivkoviç dhe aleatët e saj në pushtet thonë se Bashkimi Evropian nuk ka gatishmëri ta ndryshojë vendimin e saj, dhe prandaj do të përpiqet shumë t'i harmonizojë ekonomitë e dy anëtareve të bashkësisë që ato të jenë funksionale.
Çedomir Jovanoviç është zëvendës kryeministër i Serbisë, i ngarkuar për integrime evropiane.
"Mendojmë se nuk duhet të humbim kohën, por me kujdes duhet ndjekur këshillat nga Brukseli. Nuk duhet të shpresojmë se mund ti ndryshojmë qëndrimet e Brukselit. Duhet përpjekur ta përfundojmë atë që nuk arritëm ta bëjmë në 10 vitet e shkuara", thotë Jovanoviç.
Partia G-17 Plus thotë se fushata nuk është e drejtuar kundër Malit të Zi, por thjesht bëhet për interesat ekonomike të Serbisë.
Sërgjan Darmanoviç, drejtori i Qendrës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut në Podgoricë, thotë se është vështirë të përcaktohet se cili humb apo cili fiton nga një ndarje e mundshme.
"Elita politike serbe thjesht shpreson se me marrëveshjen e Beogradit, mund të ruhet një farë shteti i përbashkët, që pastaj përmes rregullimeve kushtetuese apo ligjore, t'i afrohet asaj që quhet federatë", thotë Darmanoviç.
Sa për opinionin serb, ai mbetet i ndarë. Anketimet e fundit kanë treguar se 48% e mbështesin shtetin e përbashkët me Malin e Zi, por 41% janë për Serbinë e pavarur.
XS
SM
MD
LG