Ndërlidhjet

INCIDENTET E FUNDIT NUK RREZIKOJNË STABILITETIN NË MAQEDONI


Isuf Kadriu Shkup

Së paku dy persona janë plagosur më lehtë nga shpërthimi i një bombe që ka ndodhur sot në qendër të Kumanovës. Policia bëri të ditur se bomba ishte vendosur para hyrjes së një banese ndërsa nga shpërthimi janë dëmtuar disa dyqane. Ekipet e specializuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ende nuk ka të dhëna për autorët e këtij shpërthimi. Ndërkohë një këshilltar sigurie në komunën e Likovës, Abedin Zymberi, thotë se gjendja e sigurisë në këtë ish zonë të krizës është e qetë.
" Ka patur një shpërthim të bombës në qytet. Nuk e dimë si ka ndodhur ajo. Ndërsa sa për komunën e Likovës gjendja është krejtësisht e mirë", tha zoti Zymberi.
Nga ana tjetër ekspertë në sferën e sigurisë kanë mbështetur aksionet e forcave qeveritare për luftimin e bandave kriminele që veprojnë në disa rajone të Maqedonisë. Forcat speciale të policisë dje në një fshat të Tetovës kanë tentuar të kapin një nga udhëheqësit e një bande të rrezikshme Sahit Rushitin, për të cilin dyshohet se ka terrorizuar popullatën lokale. Gjatë këtij aksioni është vrarë një femër 26 vjeçare, ndërsa policisë i ka shpëtuar Rushiti dhe shoqëruesit e tij. Ekspertët thonë se policia duhet të jetë e kujdesshme gjatë ndërmarrjes së aksioneve, ndërsa përjashtojnë mundësinë që këto veprime të ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes së sigurisë.
"Mendoj se aksionet e policisë duhet të vazhdojnë deri në arrestimin e të gjithë atyre personave përgjegjës për kryerjen e akteve kriminale dhe kjo besoj se nuk do të ketë pasoja negative ndaj procesin për stabilizimin e gjendjes së sigurisë," tha Trajan Gocevski, dekan i Fakultetit të Filozofisë në Shkup dhe ish anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Edhe këshilltari i sigurisë në komunën e Likovës, Abedin Zymberi, mbështet aksionet për luftimin e bandave kriminele, por ai dyshon në profesionalizmin e policisë e cila u akuzua për keqtrajtim të banorëve shqiptarë në fshat të Kumanovës.
"Duhet të shqyrtohet, por jo edhe në mënyrën se si e bën policia maqedonase, e cila tani edhe i shfrytëzojnë disa raste kinse për luftimin e bandave kriminele, dhe në anën tjetër shkaktojnë revoltë tek popullata apo keqtrajtim të popullatës," thotë zoti Zymberi.
Ndërkohë ish-anëtari i Këshillit për Siguri Kombëtare Trajan Gocevski, tha se është me rëndësi që tek partitë politike në qeveri të ketë gadishmëri dhe sinqeritet në luftimin e kriminalitetit në Maqedoni, që bandat të mos shfrytëzohen për qëllime politike pasi nga ato më së shumti, siç tha ai, pëson popullata shqiptare në ish zonat e krizës.
XS
SM
MD
LG