Ndërlidhjet

logo-print

ÇDO FËMIJË KA TË DREJTË TË GËZOJË DASHURINË PRINDËRORE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Çdo fëmijë ka të drejtë që të gëzojë dashurinë prindërore dhe kjo duhet të vlejë edhe për 303 fëmijët e braktisur në Kosovë që nga viti 2000 e deri më tani, thekson Agron Bacaj, zëdhënës i Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale. Sipas tij një numër i tyre u janë kthyer prindërve që i kanë braktisur, mbi 50 % janë adoptuar, ndërkaq të tjerët janë strehuar në shtëpitë për strehim të përkohshëm nën përkujdesin e Organizatës Östkinderdorf.

"Nga viti 2000 deri në periudhën qershor 2003 janë adoptuar gjithsej 157 fëmijë. Sot në Kinderdorf janë 42 fëmijë, të cilët presin adoptimin ose bashkimin familjar," thotë zoti Bacaj.
Disa muaj më parë bashkëshortët Abdullah dhe Drenusha Mehmeti nga Prishtina, të cilët nuk mund të kishin fëmijë biologjikë, shprehën interesimin për të adoptuar një fëmijë. Zonja Mehmeti, katër muaj më parë është shprehur:
" Këtyre fëmijëve kur Zoti ua ka dhënë shansin të vijnë në këtë botë, pse ne mos ua japim shansin të jetojnë një jetë më të mirë dhe jo të mbeten në jetimore? Edhe pse këtu në Prishtinë kushtet i kanë mjaft të mira, kanë përkujdes maksimal, përsëri u mungon dashuria prindërore", ka thënë zonja Mehmeti.
Vullneti i bashkëshortëve Mehmeti bëri që vogëlushja tre muajshe me emrin Dredhëza, të fitojë mbiemrin e tyre. Ndërkaq tani pas katër muajsh që kur Dredhëza është bërë anëtare e familjes Mehmeti, Abdullahu thotë:
"Patëm fatin tonë që është gëzimi më i madh në jetën tonë. Pas martesës kemi marrë një gocë të bukur, e adoptuam dhe tani për tani është një jetë harmonike në familje, kemi me çfarë të merremi, për çfarë të bisedojmë, dhe mund të themi që edhe ato pak ngacmime na e shtojnë jetën, na bëjnë më të lumtur, shumë shumë shumë..."
Ndërsa Drenusha thekson: "për herë të parë na ka pëlqyer shumë. Menjëherë ka qeshur me neve,i ka zgjatur duart nga ne. Me siguri kjo ka qenë edhe dëshirë e Zotit që nuk na ka bërë prindër biologjikë, mirëpo e ka ruajtur shansin për këtë fëmijë", thotë ajo.
Zoti Bacaj thekson se kohë më parë ka qenë e shprehur dukuria e adoptimit të fëmijëve të gjinisë mashkullore, ndërkaq që tani vërehen ndryshime.
"Unë mund të them se vërehet një diskriminim ndaj fëmijëve me gjini femërore. Kjo çështje ka qenë shprehi më herët, ndërsa kohët e fundit, sidomos gjatë vitit 2003, unë besoj se është bërë një balancim sa i përket fëmijëve mashkuj apo femra", thotë zoti Bacaj.
Sidoqoftë Abdullahu thekson se qëllimisht kishin vendosur të adoptonin një vajzë.
" Në gjithë botën fëmija mashkull vlen pak më tepër, prandaj femrat kanë mbetur pak më mbrapa. Kështu ne vendosëm që kësaj t'ja afrojmë, ta bëjmë një femër të fortë, të jetë sa 7 meshkuj, të jetë një personalitet i krijuar, një personalitet që do t'i ketë të gjitha, që të mos frikësohet kurrë në jetë dhe të shkojë gjithmonë përpara". Ndërsa Drenusha, duke e mbajtur vogëlushen në prehër, tha:
" Ky fëmijë na ka ndërruar jetën dhe kurrë nuk e mendoj që nuk është fëmijë biologjik i joni".

XS
SM
MD
LG