Ndërlidhjet

15 000 TË RINJ SHQIPTARË NUK KANË KRYER SHËRBIMIN USHTARAK NË MAQEDONI GJATË DEKADËS SË FUNDIT


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Ligji për Amnesti ka për qëllim zgjidhjen e çështjes së rekrutëve, shtetas të Maqedonisë, të cilët nuk kanë kryer shërbimin ushtarak, ose të cilët nuk i janë përgjigjur ftesës për të kryer shërbimin ushtarak nga viti 1992 deri më vitin 2002, njofton Ministri i Drejtësisë Ismail Dardhishta.
Shërbimi ushtarak nga të rinjtë është refuzuar më së shumti gjatë tre viteve të fundit. Shkaqet kanë qenë të shumta, ndërsa kanë mbisunduar ato të sigurisë.
" Është përgatitur një projektligj për amnestinë, i cili përfshin të gjithë ata persona, respektivisht qytetarë apo rekrutë të republikës së Maqedonisë, të cilët prej viti 1992, nuk e kanë kryer shërbimin ushtarak apo me iniciativën e vet janë larguar nga Forcat e Armatosura të republikës së Maqedonisë", thotë zoti Dardhishta.
Ministri i Drejtësisë më pas nënvizon se ligji i veçantë për amnestinë parasheh faljen e gjithë atyre personave që vuajnë dënimin, personave ndaj të cilëve është ngritur procedura penale, apo pritet të bëhet një gjë e tillë.
" Në fakt do të thotë riintegrim i të gjithë këtyre personave dhe këtu bëjnë pjesë dy lloj qytetarësh apo personash. Në njërin grup bëjnë pjesë personat ndaj të cilëve është ngritur padia penale, numri i të cilëve është 2 773, ndërsa në grupin tjetër bëjnë pjesë personat prej 27-30 vjeç, të cilëve akoma nuk u është paraqitur padia penale, mirëpo pas mbushjes së moshës 30 vjeç, një gjë e tillë mund të ndodhë dhe numri i tyre është shumë më i madh, janë afër 12 389 persona. Kjo është arsyeja pse i kemi përfshirë të dyja këto grupe në këtë ligj", sqaron Ministri i Drejtësisë.
Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë flasin për një numër të madh të personave ndaj të cilëve mund të ngrihet padia penale. Disa persona tanimë po e vuajnë dënimin, ndërsa ndaj 2 773 vetëve janë ngritur padi penale, bën të ditur Ministri Dardhishta.
" Është fakt se parashihet falja e të gjithë personave shqiptarëve, maqedonëve, romëve, boshnjakëve, serbëve. Struktura është e përzier", thotë Ministri Dardhishta, i cili më tej thekson se me miratimin e Ligjit të Amnestisë nga ndjekja penale do të lirohen rreth 15 000 të rinj shqiptarë që nuk i janë përgjigjur shërbimit ushtarak. Me këtë do të pushonin edhe aktivitetet e organeve gjyqësore ndaj këtyre personave.
XS
SM
MD
LG