Ndërlidhjet

logo-print

AUTORITETI I BANKAVE DHE PAGESAVE TË KOSOVËS MUND TË QUHET BANKË KOMBËTARE E KOSOVËS PAS PËRCAKTIMIT TË STATUSIT FINAL


Kim Rhee, drejtoreshë e përgjithshme e BPK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Ri , në fund të këtij muaji përfundon mandati Juaj i drejtoreshës së përgjithshme të Autoritetit të Bankave dhe Pagesave të Kosovës(BPK). Cilat, sipas mendimit tuaj janë arritjet më të mëdha të BPK-së gjatë periudhës kur ju keni qenë në krye të saj ?

KIM RHEE
Mendoj se arritja më e rëndësishme gjatë viteve të kaluara ka qenë se Autoritetin e Bankave dhe Pagesave të Kosovës e kemi shndërruar në një institucion rregullativ, që i ka transferuar përgjegjësitë e veta tek bankat komerciale. E tërë kjo është në bashkëpunim mes ndërkombëtarëve dhe personelit vendor të BPK-së.
Siç e dini në vitin 1999 kur u themelua, BPK-ja ishte i vetmi institucion bankar në Kosovë. Pra, gjatë asaj kohe ne kemi kryer veprimtaritë tona komerciale dhe po ashtu ato rregullative. Prej korrikut të vitit të kaluar kemi filluar të transferojmë të gjithë veprimtaritë tona komerciale tek bankat komerciale. Tani ka 7 banka komerciale të liçencuara nga BPK-ja dhe 132 zyra bankare në mbarë Kosovën. Duke filluar prej 1 marsit 2003 ne në BPK nuk kryejmë më veprimtari komerciale. Funksionet tona tani janë funksione rregullative dhe janë të krahasueshme me funksionet e çfarëdo banke qëndrore në rajon. E dyta që ka ndodhur në vitin e kaluar është programi i kosovarizimit . Për mua ky ishte projekti më i rëndësishëm i detyrës sime në Kosovë. Prej dhjetorit të vitit 2002 kemi vendosur që të gjitha përgjegjësitë e udhëheqjes të transferohen nga ndërkombëtarët tek vendorët. Dhe që sot të gjitha vendet e punës, përveç vendit tim të punës, në të cilin edhe më tej do te jetë një i huaj, vendet tjera udhëheqëse do të jenë të mbuluara nga personeli vendor. Personalisht mburrem që personeli ynë kosovar i ka marrë përsipër përgjegjësitë dhe ata janë zotuar që të vënë në funksion këtë institucion.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të konsiderohet, a mund të quhet BPK-ja Bankë Qëndrore e Kosovës ?

KIM RHEE
Po, unë mendoj se BPK-ja mund të quhet Bankë Qëndrore, sepse ne i kryejmë të gjitha ato funksione siç janë liçencimi, mbikqyrja dhe rregullimi i të gjitha institucioneve financiare në Kosovë. Gjithashtu ne jemi duke kryer edhe sistemin e pagesave vendore dhe përgatitim buletinin statistikor mujor për Kosovën, marrim depozita nga bankat komerciale, dhe jemi në proces e sipër që të bëhemi Bankë e Qeverisë së Kosovës. Po, ne kryejmë plotësisht funksionet e bankës qendrore dhe ne besojmë se kjo punë është duke u kryer nga kosovarët. Unë me të vërtetë mburrem që kjo është duke u kryer nga ata.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse BPK-ja zyrtarisht nuk mund të quhet bankë qendrore, posaçërisht duke patur parasysh faktin se Kosova para vitit 1989 kishte bankën e vet kombëtare ?

RHEE
Banka Kombëtare e Kosovës ishte e ndarë nga Banka Kombëtare e Jugosllavisë. Që ta quajmë veten Bankë Qendrore, është e domosdoshme që Kosova së pari të ketë statusin e definuar. Megjithatë, jemi në proçes e sipër që të vizitojmë të gjitha bankat qendrore në vendet fqinje, që t'i sigurojmë se në Kosovë egziston BPK-ja e cila funksionon si bankë qëndrore e Kosovës. Dhe sa më shpejtë të fitojë Kosova statusin e vet, atëherë ne me mburrje mund ta quajmë Bankë Qendrore të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë keni vizituar Podgoricën dhe Beogradin. Për çfarë keni biseduar me homologët tuaj?

KIM RHEE
Siç e përmenda edhe më parë, ne dëshirojmë që t’u tregojmë vendeve fqinje se në Kosovë egziston një bankë qendrore. Mirëpo gjithashtu kemi biseduar edhe që të kemi një bashkëpunim midis bankave qendrore rajonale.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Serbisë shumë herë i ka sfiduar institucionet e Kosovës. Si e kanë pranuar faktin se në Kosovë egziston nje institucion, i cili ka autorizimet e bankës qendrore?

KIM RHEE
Dje isha në një vizitë në Bankën Qendrore të Sërbisë me ftesën e guvernatorit Dinkiç dhe atij përsëri i kam shpjeguar se BPK-ja funksionon si bankë qendrore dhe unë mendoj se ai e pranon këtë koncept, pasi që kjo është ajo që ne jemi duke punuar.

Intervistoi Gëzim Baxhaku
XS
SM
MD
LG