Ndërlidhjet

NË PRISHTINË SHËNOHET DITA E ÇLIRIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, ka festuar sot katërvjetorin e çlirimit të saj, përkatësisht katërvjetorin e futjes së forcave të UÇK-së në Prishtinë. Me këtë rast, përveç manifestimeve të shumta kulturore që janë mbajtur në qendër të qytetit dhe që vazhdojnë gjithë ditën, në asamblenë komunale të Prishtinës është mbajtur një ceremoni solemne, në të cilën ka marrë pjesë edhe shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, zoti Reno Harnish.
Me këtë rast, zoti Harnish tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përshëndesin komunën e Prishtinës në katërvjetorin e saj.
“Ne, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi posaçërisht të kënaqur që jemi pjesë e zhvillimeve në Kosovë, ndërkohë që nuk ka vend më të rëndësishëm për këtë përfshirje, sesa niveli komunal”, tha zoti Harnish, sipas të cilit pikërisht komuna është vendi ku fillon zhvillimi në të gjitha aspektet.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës zoti Ismet Beqiri, tha se Prishtina ka përparuar shumë gjatë katër vjetësh në liri:
“Viti i katërt pas luftës, Kosovën në përgjithësi e Prishtinën në veçanti si dhe institucionet e saj, i gjen më të forta, më të stabilizuara dhe me efikase. Edhe viti që lamë pas, që nga qershori 2002 e deri sot u karakterizua nga një angazhim në të gjitha segmentet e jetës dhe rezultatet janë evidente, pasi Prishtina po i merr gjithnjë e më shumë tiparet e një kryeqyteti modern”, tha kryetari i komunës së Prishtinës Ismet Beqiri, sipas të cilit problemi kryesor në Prishtinë është grumbullimi i jashtëzakonshëm i popullisë në kryeqytet.
Në ditën e komunës së Prishtinës, komandanti i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, gjenerali Agim Çeku, ka vënë lule te përmendorja e ish-komandantit të UÇK-së, Zahir Pajazitit, ndërsa fëmijët nga qendra e pionierëve të kryeqytetit, kanë parakaluar me muzikë nëpër rrugë, ku po vazhdojnë të mbahen koncerte për fëmijë e të rritur.
Në anën tjetër, kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, përmes një komunikate, ka përgëzuar popullin e Kosovës me rastin e 12 qershorit, ditës së hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që ai e ka shpallur "Ditë të Lirisë" së Kosovës. Me këtë rast, kryetari Rugova ka thënë se në katër vjet Kosova ka pasur një progres të madh, ndërsa gjendja e përgjithshme e sigurisë është më e mirë dhe stabiliteti politik është më i madh. Këtë progres, ka thënë kryetari Rugova, e kemi arritur bashkë me UNMIK-un, OSBE-në dhe KFOR-in, si dhe me ndihmën e shumë qeverive, si asaj të SHBA-ve, të Bashkimit Evropian, dhe të vendeve të tjera. Kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, që aktualisht ndodhet në Bruksel, ka thënë gjithashtu se njohja formale e pavarësisë së Kosovës, do t’i shpejtonte proceset ekonomike dhe demokratike. Me këtë rast, kryetari Rugova ka përshëndetur shefin e UNMIK-ut Steiner dhe ushtarët e oficerët e KFOR-it në krye me komandantin gjeneralin Fabio Mini.

XS
SM
MD
LG