Ndërlidhjet

DISKUTUESIT TË PAKËNAQUR ME ROLIN E PËRFAQËSUESVE TË KOSOVËS NË SELANIK


Zijadin Gashi, Prishtinë

Samiti i Bashkimit Evropian në Selanik, për Kosovën nuk do të jetë shumë i rëndësishëm, për faktin se Kosova atje nuk përfaqësohet si subjekt i barabartë por si vëzhguese, kanë pohuar sot zyrtarë nga institucionet e Kosovës dhe përfaqësues nga shoqëria civile, në një tryezë të organizuar nga Forumi “Kosova 2015”, ku bëjnë pjesë tri organizatat më të fuqishme joqeveritare vendore. Duke vlerësuar përfaqësimin e Kosovës në Selanik, deputeti i Lidhjes Demokratike Alush Gashi, tha se përveç faktit se përfaqësuesit e Kosovës do të jenë pjesë e atij të UNMIK-ut, çka që në fillim e bën Kosovën të pabarabartë, edhe vetë kompozimi i delegacionit si dhe agjenda, sipas tij, janë të paqarta dhe janë duke u mbajtur në fshehtësi.
“Si anëtar i Kuvendit të Kosovës, deri në këto momente unë nuk kam ndonjë të dhënë zyrtare se në çfarë forme Kosova do të jetë apo s'do të jetë në Selanik. Kjo për mua është shqetësuese dhe këtë shqetësim e kam ngritur edhe në komitetin për bashkëpunim ndërkombëtar të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë deputeti Alush Gashi, për të shtuar se rreth dialogut me Beogradin të paralajmëruar që të fillojë po në Selanik, pala kosovare duhet të insistojë që aty të jetë i pranishëm dhe faktori amerikan. Me këtë qëndrim u pajtua dhe deputeti i Partisë Demokratike Xhavit Haliti, i cili kërkoi gjithashtu miratimin e një platforme, para se delegacioni kosovar të shkojë në Selanik. Deputeti Haliti, tha se mospërfshirja e Shteteve të Bashkuara në negociatat me Beogradin do t’i rrezikonte proceset dhe do të kontribuonte në shtimin e rrezikut për ndonjë konflikt të ri në rajon.
“Në bisedat për të ardhmen e Kosovës, në fillimin e dekompozimit të ideve dhe të zinxhirëve, të cilët e kanë mbajtur Kosovën nën okupim dhe të cilat do ta implikojnë edhe bashkësinë ndërkombëtare dhe rajonin në ndonjë konflikt të ri, do të duhej të jenë gjithmonë prezente, bashkësia ndërkombëtare dhe domosdoshmërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pohoi Haliti.
Ndërkohë duke folur për dialogun me Beogradin, Ardian Gjini, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, tha se për momentin nuk ka vullnet për këtë dialog, por në Selanik, sipas tij, mund të vijë deri te një takim ndërmjet Prishtinës e Beogradit, për shkak të insistimit të bashkësisë ndërkombëtare:
“Ky dialog do të ndodhë në momentin kur përfaqësuesit e Kosovës dhe përfaqësuesit e Serbisë do ta kenë të qartë se një dialog i tillë është në interes të dy popujve që ata i përfaqësojnë. Në këtë moment një dialog në mes Kosovës e Serbisë do të bëhet për hir të dialogut ose për shkak se një gjë e tillë kërkohet prej nesh”, ka thënë Gjini.
Në anën tjetër, Veton Surroi, botues i të përditshmes “Koha Ditore”, tha se aktualisht Kosova dhe Serbia e Mali i Zi, po e mbajnë peng njëra tjetrën në integrimet evropiane, për shkak se ende nuk e kanë rrumbullakësuar shtetësinë e tyre:
“Në konsolacionet e tashme politike ndërkombëtare, Samiti i Selanikut për Kosovën do të ketë dy mangësi serioze. Së pari Kosova nuk do të jetë subjekt i procesit që do të zhvillohet aty, por do të jetë mysafire e kryeadministratorit të Kosovës. Së dyti, Kosova nuk do të marrë pjesë me një platformë të vetën interesash, por do të prezantohet me interesa të të tjerëve, në radhë të parë të eksponentëve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Apo përkthyer më thjeshtë, do të shërbejë si objekt fotografimi në takime bilaterale duke veçuar posaçërisht atë me delegacionin e Serbisë”, ka thënë zoti Surroi, duke shtuar se këto procese do të diktojnë dy lloje negociatash për Kosovën. Të parat me BE-në, për definimin e rrugëve që Kosova të integrohet në një mënyrë të veçantë në strukturat evropiane dhe të dytat me Beogradin, për definimin e rrugëve të veçanta të integrimit të dy vendeve në Evropë.
“Kosova pra as që do t’i afrohet konceptit fillestar të Samitit të Selanikut e ai është që nëpërmjet vendimit politik të 15-es së sotshme, të krijohet një binar i shpejtuar integrimi për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha në vazhdim Surroi.
Përfaqësues nga shoqëria civile, thanë gjithashtu në këtë tryezë, se përderisa Samiti i Selanikut nuk paraqet ndonjë moment të posaçëm për Kosovën, për shkak të statusit të saj të padefinuar dhe pozitës jo të barabartë aty, ky samit megjithatë do të diktojë që periudha pas tij të përshpejtojë zgjidhjen e statusit të saj.
XS
SM
MD
LG