Ndërlidhjet

VENDET DUHET T'I DËNOJNË TRAFIKANTËT E QENIEVE NJERËZORE


JEFFREY DONOVAN

Departamenti amerikan i shtetit e ka publikuar raportin e tretë vjetor mbi trafikimin e qenieve njerëzore. Sekretari i shtetit Colin Powell e ka cilësuar problemin skllavëri moderne, dhe ka shfaqur shpresat se raporti do t'i shtyjë vendet t'i luftojnë shkaqet.
Raporti i ri thotë se rreth 1 milionë njerëz në botë trafikohen në kushte skllavërie, dhe thekson se 15 vende mund të përballen me sanksione nëse nuk e luftojnë këtë problem.
Raportin vjetor mbi trafikimin e qenieve njerëzore, e b;ri publik sekretari i shtetit Colin Powell.
"Në botën e shekullit 21, ku liria dhe demokracia përhapen në çdo kontinent, është e tmerrshme dhe e papranueshme që mijëra njerëz, gra dhe fëmijë, eksploatohen, abuzohen dhe skllavërohen", tha Powell, duke shtuar se trafikimi nuk ka lënë asnjë shtet paprekur, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ku rreth 20 mijë njerëz në vit trafikohen për të punuar nëpër bordele apo ferma.
Raporti i Departamentit të shtetit, i mandatuar sipas ligjit kundër trafikimit, thotë se vendet që nuk e luftojnë problemin mund të ndëshkohen, duke ju ndërprerë ndihmat humanitare dhe tregtare. Washingtoni gjithashtu mund të përpiqet t'u ndërpriten kreditë dhe huatë nga Fondi Ndërkombëtar Monetar apo Banka Botërore.
Në mesin e 15 vendeve, të cilat nuk i përmbushin as standardet minimale dhe nuk bëjnë asgjë për ta luftuar problemin, janë Bosnjë-Hercegovina, Kuba, Gjeorgjia, Greqia, Kazakistani, Koreja e Veriut, Sudani, Turqia dhe Uzbekistani.
John Miller, këshilltar i sekretarit Powell, thotë se ende ka kohë që këto vende të bëjnë diçka, përpara se të përballen me sanksionet e Shteteve të Bashkuara.
"Vendimi mbi sanksionet nuk do të mund të sjellet deri në vjeshtë. Prandaj, është e mundur që vendet nga ky grup të bëjnë përpjekje të rëndësishme deri atëherë", thiotë Miller.
Raporti thotë se 74 vende tjera nuk i përmbushin as standardet minimale, por përpiqen. Këtu përfshihen Shqipëria, Bellorusia, Bullgaria, Kina, Kroacia, Hungaria, Japonia, Moldavia, Pakistani, Rumania, Kirgistani, Letonia, Rusia, Serbia e Mali i Zi, Sllovakia, Sllovenia, Taxhikistani dhe Ukraina.
Vendet që i plotësojnë standardet janë Çekia, Lituania, Polonia, Britania e Madhe dhe Maqedonia.
Por Miller thotë se madje edhe këto vende nuk e kanë mundur trafikimin e qenieve njerëzore, kryesisht të femrave dhe fëmijëve.
"Ne duam askush të mos mendojë se bën gjithçka që duhet, nëse gjendet në këtë grup. Kjo nuk don të thotë se nuk ka problem. Çdo shtet i botës ka problem me skllavërinë moderne, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuaar", thotë Miller.
Sipas tij, më së shumti duhet akuzuar vendet komuniste, si Kuba dhe Koreja e Veriut.
"Kuba ka një biznes qeveritar të seks-turizmit, ku i angazhon të miturit. Kuba as që bën përpjekje të parandalojë apo përndjekë trafikimin. E njëjta mund të thuhet për Korenë e Veriut", thotë Miller.
Raporti është sajuar me ndihmën e ambasadave amerikane në botë, nga raportet e mediave dhe organizatave jo-qeveritare, si dhe të agjencive të Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG