Ndërlidhjet

SHËNOHET KATËR VJETORI I HYRJES SË TRUPAVE TË NATO-S NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përmbushja e misionit tonë në Kosovë do të arrihet atëherë kur të gjithë qytetarët e Kosovës do të jetojnë në një ambient të qetë dhe të sigurtë, ka thënë sot komandanti i KFOR-it Fabio Mini, në një manifestim të organizuar me rastin e shënimit të katër vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe ai i NATO-s kanë përkushtimin e njëjtë për Kosovën dhe janë të lidhur ngushtë njeri me tjetrin, thanë shefi i UNMIK-ut Michael Steiner dhe komandanti i KFOR-it Fabio Mini. Ata përkujtuan me këtë rast 101 ushtarët e KFOR-it dhe 26 anëtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara, të cilët humbën jetën gjatë shërbimit të tyre si paqeruajtës në Kosovë.
Pas përkujtimit të atyre që humbën jetën në shërbim të paqes në Kosovë, kryeadministratori Steiner tha se ende i kishte të freskëta kujtimet e vitit 1999, kur ai i veshur me pajisje ushtarake e helmetë në kokë, kishte vizituar trupat ushtarake gjermane që shërbenin në Prizren. Ato ditë të nxehta në fytyrat e tyre, tha Steiner, shihja gëzim, por edhe nervozizëm e shqetësim. Sot, vazhdoi Steiner, atmosfera është tjetër, dhe vizitorët nuk kanë nevojë për helmeta, ndërsa tanket nuk janë më në rrugë, tha ai. Tani kur paqja është arritur dhe kur forcat e Millosheviçit dhe kaosi është mposhtur, theksoi Steiner, mbeten ende shumë sfida, si për misionin e UNMIK-ut ashtu dhe për atë të KFOR-it.
“Tani, kufinjtë janë të sigurtë, nuk ka më kaos, por ende nuk ka jetë normale”, tha Steiner, për të shtuar se sfidat që kanë mbetur kanë të bëjnë me luftën kundër ekstremizmit, krimit të organizuar dhe të gjitha llojeve tjera të krimit, kthimin e të zhvendosurve si dhe pajtimin ndëretnik në Kosovë.
Më pas dhe gjenerali Fabio Mini, pasi rikujtoi punën e bërë në Kosovë, kontributin që ushtarët e NATO-s dhanë në kthimin e mbi 800 mijë të zhvendosurve të luftës, tha gjithashtu se ndonëse përkushtimi i KFOR-it tani ka ndryshuar, ende mbetet të punohet në kthimin e personave të zhvendosur:
“Ende kemi persona të zhvendosur nga Kosova nga të gjitha komunitetet etnike dhe përderisa ata të gjithë të mos kthehen të lirë nëpër shtëpitë e tyre, puna e komunitetit ndërkombëtar nuk do të konsiderohet e përfunduar”, tha gjenerali Mini.
Manifestimin e ka përcjellur dhe komandanti i NATO-s për Evropën Jugore admirali Gregory Johnson, i cili tha se guximi dhe vendosmëria e ushtarëve dhe paqeruajtësve, që e sollën Kosovën në këtë ditë, duhet t’i përcjellë dhe ata që sot duan ta drejtojnë Kosovën drejt të ardhmes dhe qëllimit të cilin, tha ai, të gjithë e duam.
Ndërkohë këtë manifestim e kanë përcjellur dhe zyrtarë të lartë të institucioneve vendore. Kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se ai e kishte shpallur 12 qershorin, ditën kur në Kosovë hynë ushtarët e NATO-s, ditë të çlirimit të Kosovës. Rugova pohoi gjithashtu se pas katër vjetësh të hyrjes së trupave ushtarake të NATO-s, në Kosovë ende mbeten probleme që duhet zgjidhur.
“Sot pas katër vjetësh mund të themi se kemi progres të madh dhe natyrisht problemet e zhvillimit, problemet, siç i theksuan gjeneral Mini dhe zoti Steiner. Dhe kemi një shoqëri të integruar për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të gjitha grupet etnike. Kemi edhe këtu përparim, por duhet të bëjmë më shumë në procesin e pajtimit, në procesin e komunikimit mes nesh”, tha Zoti Rugova.
Kryetari Rugova, tha gjithashtu se kishte vendosur që si President i Kosovës të themelojë dhe dy medalje, njërën për shërbim ushtarak dhe tjetrën për shërbimin civil që do t’ua ndajë personaliteteve që kanë shërbyer në këto misione në Kosovë.
XS
SM
MD
LG