Ndërlidhjet

NË SELANIK BISEDIME VETËM PËR ÇËSHTJE PRAKTIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Beogradi dhe Prishtina duhet të bisedojnë në Selanik, por vetëm për çështje praktike me interes të përbashkët, ka thënë sot zëdhënësi i UNMIK-ut Sunil Narula, duke komentuar vendimin e djeshëm të qeverisë së Kosovës për të përcaktuar disa çështje të cilat mund të diskutohen në bisedimet eventuale me Beogradin, që janë paralajmëruar për në samitin e Selanikut, i cili fillon fundjavën e ardhshme. Në të vërtetë, zëdhënësi i UNMIK-ut Sunil Narula tha se qëndrimi i zotit Steiner është se secili duhet të bisedojë me secilin në këtë samit, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
“Ne e dimë se në qeveri po zhvillohen debate lidhur me temat që mund të diskutohen në Selanik dhe unë mund t’ju them se zoti Steiner ka thënë disa herë se Beogradi dhe Prishtina duhet të bisedojnë për disa çështje praktike me interes të përbashkët”, tha zoti Narula, duke cituar sërish zotin Steiner që ka thënë se në Samitin e Selanik secili duhet të bisedojë me secilin.
Qeveria e Kosovës ka thënë dje se me Beogradin mund të bisedohet për çështjen e të zhdukurve, për kthimin e kufomave të të zhvarrosurve shqiptarë nga varret masive në Serbi, pastaj për kompensimin e pensioneve të punëtorëve në Kosovë, për njohjen reciproke të dokumentacionit, për pagesën e dëmshpërblimit për shkak të operimit ilegal të rrjetit të telefonisë mobile nga Serbia në Kosovë, për ndërprerjen e keqpërdorimit të vulave nga koha e Millosheviçit, për pagesën e dëmeve të luftës e çështje të tjera.
Ndërkohë që ende dialogu Prishtinë-Beograd nuk është i sigurt dhe pasi Steiner në Beograd po bën përpjekje për të siguruar fillimin e bisedimeve dhe formulimin e agjendës së këtyre bisedimeve eventuale, përfaqësues të serbëve të Kosovës thonë se çështja e njohjes së dokumentave të UNMIK-ut, kthimi i kufomave të shqiptarëve dhe rregullimi i çështjes së pensioneve janë çështje që mund të diskutohen, por problem paraqet pika për pagesën e dëmeve të luftës:
“Ajo që është diskutabile është dëshmpërblimi për dëm të luftës, kujt t’i paguhet dhe kush të pagujë dhe kush ka pësuar dëme të luftës, kjo është një çështje mjaft e diskutueshme”, tha zoti Nenad Radosavljeviç, këshilltar për të kthyerit në zyrën e zotit Steiner, sipas të cilit çështja e dënimit të kriminelëve të luftës duhet të ketë të bëjë me të gjitha palët pa ndonjë kufim etnik apo territorial. Mirëpo, tha Radosavljeviç, në pikat e qeverisë, jo që janë për të hedhur poshtë, por nuk është përfshirë çështja themelore: “Edhe po të zgjidhen të gjitha këto çështje, asgjë nuk do të kishte kuptim në raport me atë më të rëndësishmen, pasi kthimi i të zhvendosurve, është problemi vendimtar dhe prioritet numër një”, tha zoti Radosavljeviç, duke e parë të drejtën për t’u kthyer dhe për të administruar pronën e vet, si të drejtën themelore dhe problemin kryesor që duhet biseduar në një takim eventual ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
XS
SM
MD
LG