Ndërlidhjet

V. SURROI:"KOSOVA NUK MUND TË FUNKSIONOJË SI TËRËSI TOKËSORE, PA INTEGRIMIN E PAKICAVE"


Veton SURROI, botues i "Koha Ditore"


Radio Evropa e Lirë
Zoti Surroi, cili është pozicioni i Kosovës katër vjet pas luftës?

Veton Surroi
Krahasuar me periudhën para katër vjetësh, mendoj se ne kishim më shumë shpresa si kosovarë. Tash kemi hyrë në fazën e zhgënjimit dhe më duket se nëse vazhdon kjo situatë do të dalim në frikë nga ardhmëria e Kosovës. Problemi themelor është se struktura e vendimmarrjes në Kosovë ka mbërritur limitin e vet dhe ka hyrë në një krizë të thellë dhe duhet gjetur një formë tjetër ku do të rregullohen përfundimisht çështjet që kanë të bëjnë me definimin e Kosovës si një shtet normal.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Surroi, tashmë është folur shumë për fillimin e bisedimeve, ndërkohë që opcionet më të reja flasin për një dialog Prishtinë-Beograd pas Selanikut. A e ndryshon kjo rëndësinë e fillimit të bisedimeve, meqë më parë thuhej se dialogu do të fillonte në Selanik?

Veton Surroi
Nuk besoj se ndryshon struktura. Ajo që është me rëndësi është jo a do të fillojnë dhe kur do të fillojnë, por me çfarë kornize do të fillojnë dhe problemi themelor deri më tash ka qenë se insistimi për fillimin e bisedimeve ka qenë insistim sa për të kënaqur nevojat e kryeadministratorit apo të dikujt tjetër, sa për t’u fotografuar, e jo për të formuar një kornizë reale ku do të zgjidheshin apo do të trajtoheshin disa prej problemeve reale dhe shumë të thella dhe shumë të hapura që ekzistojnë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Evropa e Lirë
Ndërkohë, zoti Surroi fillimi eventual i bsiedimeve në Bruksel do të involvonte domosdoshmërisht edhe SHBA-të dhe BE-në në një rol ndërmjetësues. A mund të çojë kjo në drejtim të bisediomeve edhe për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, siç kanë vlerësuar disa qarqe?

Veton Surroi
Cilido kontakt ndërmjet Kosovës dhe Beogradit, domosdoshmërisht prek në çështjen e statusit dhe me çfarëdo pikënisje që do të fillohet do të rrëshqitet më shpejt në çështjen e statusit.

Radio Evropa e Lirë
Dhe, sa janë të përgatitura institucionet e Kosovës që t’u qasen dhe t’u hyjnë bisedimeve të tilla, përfshirë edhe zgjidhjen e statusit përfundimtar?

Veton Surroi
Ato janë absolutisht të papërgatitura, sepse janë të absolutisht të papërgatitura për çdo gjë tjetër. Kanë treguar një mungesë pune, një mungesë talenti dhe kanë treguar një mungesë devotshmërie ndaj obligimit që kanë marrë.

Radio Evropa e Lirë
A do të thotë kjo se duhen pritur zgjedhjet e reja për ta ndryshuar situatën?

Veton Surroi
Do të shohim. Deri në zgjedhjet e reja do të kemi një vit e disa muaj kohë. Unë shpresoj se klima politike, struktura politike në Kosovë, domosdoshmërisht të ndryshojë, sepse nëse vazhdohet kështu, do të gjendemi në një situatë edhe më të rëndë nga kjo ku gjendemi sot.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Surroi, si e vlerësoni ju formulën “standardet para statusit”?

Veton Surroi
Mendoj se është një formulë të cilës tashmë i ka skaduar afati, duhet riformuluar një politikë në të cilën do të trajtojmë çështjen e ngritjes së Kosovës si shtet, çështjen e zgjidhjes së çështjes së satusit dhe çështjen e integrimit të Kosovës brenda Bashkimit Evropian dhe ky është standardi real, i cili e mat Kosovën.


Radio Evropa e Lirë
Në këtë kuadër, zoti Surroi, a do të merret si standard respektimi i pakicave, që është edhe njëri nga parakushtet e parapara në opcionin për pavarësinë e kushtëzuar për Kosovën?

Veton Surroi
Këto janë kritere për vendosjen e Kosovës si shtet normal dhe respektimi i pakicave është njëri prej kritereve të Kopenhagës, domethënë njëri prej kritereve për integrimin në Bashkimin Evropian. Kjo është një çështje domsdoshmërisht e nevojshme për Kosovën, jo pse e bën një kryeadministrator apo jo, por thjesht edhe nga nevoja e integrimit të tërëisë tokësore të Kosovës. Kosova nuk mund të funksionojë si tërësi tokësore, nëse nuk e bën edhe integrimin e minoriteteve.


Radio Evropa e Lirë
Po, cili është mendimi juaj për integrimin e Kosovës në planin rajonal dhe në Bashkimin Evropian?

Veton Surroi
Ne jemi jashtëzakonisht larg dhe sa më shumë që të mbetemi pasivë, aq më shumë do të rritet distanca mes nesh dhe rajonit, gjegjësisht mes nesh dhe Bashkimit Evropian dhe në vend të afrimit evropian ne do të afrohemi nga Azia.
Intervistoi: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG