Ndërlidhjet

logo-print

BDI-JA KËRKON QË NË TË GJITHA NIVELET TË KETË NGA NJË AMBASADOR


Isuf Kadriu, Shkup

Lidhja Social-demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, edhe 7 muaj pas formimit të koalicionit qeveritar, nuk kanë arritur të ndajnë përfaqësitë diplomatike. Burimet partiake bëjnë të ditur se subjekti politik shqiptar në qeveri, kërkon që të udhëheqë në njërën nga pesë përfaqësitë multilaterale, ndërsa interesim të veçantë ka për njërin nga dy misionet kyçe, NATO apo Kombet e Bashkuara.
Nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Teuta Arifi, e cila udhëheq në komisionin parlamentar të politikës së jashtme, thotë se BDI-ja insiston që të ketë ambasadorë në të gjitha nivelet, duke u përfaqësuar me 23 %, aq sa është dhe numri i shqiptarëve në Maqedoni.
" Për atë se cilat përfaqësi diplomatike do t'i marrë Bashkimi Demokratik për Integrim, është një çështje që do të vendoset pas. Mirëpo konsiderojmë se parimi jonë i 23 %-shit duhet të vlejë dhe në diplomaci," tha zonja Arifi, duke mos saktësuar se cilin mision të rëndësishëm synon partia e saj. " Ne do të arrijmë që prej pesë përfaqësive multilaterale të marrim një, ndërkohë që në nivelin bilateral do të shohim se ku do t'i vendosim interesat tona", tha nënkryetarja e BDI-së, duke njoftuar se subjekti politik shqiptar në qeveri kërkon që në të gjitha nivelet të ketë së paku nga një ambasador të komunitetit shqiptar.
" Në katërshen e parë të shteteve fqinje gjithsesi një, në gjashtëshen e dytë mund të shkojmë me dy ose me një. Parimi do të jetë që në fqinjësinë e parë të jemi të prezantuar dhe në fqinjësinë e dytë në kuadër të shteteve të Bashkimit Evropian. Ky është parimi dhe atij parimi do t'i mbahemi", thotë zonja Arifi.
Mosmarrëveshjet rreth ndarjes së posteve të ambasadorëve i konfirmon edhe Lidhja Social-Demokrate, e cila siç bëhet e ditur, kundërshton kërkesën e BDI-së që të udhëheqë njërën nga ambasadat multilaterale, apo njërën nga ato në Uashington, Moskë ose Pekin.
" Partneri i koalicionit qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim, po bisedon me ne për ndarjen e vendeve diplomatike, problematikë për të cilën janë vendosur disa baza, por bisedimet ende nuk kanë përfunduar," tha shefja e diplomacisë Linka Mitreva, njëkohësisht përfaqësuese e lartë e Lidhjes Social-demokrate. Ajo refuzoi të komentojë kërkesën e BDI-së, ndërsa njoftoi për mbajtjen e shpejtë të një takimi më të zgjeruar të partive politike pjesëmarrëse në qeveri, ku sipas saj do të sqarohen shumë dilema sa i përket ndarjes së posteve në nivel të ambasadorëve.

XS
SM
MD
LG