Ndërlidhjet

logo-print

A.GJINI: "KOSOVA SHIHET ME NJË SY SHUMË MË KRITIK SE NË 1999"


Adrian Gjini, Këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, si kishit për ta vlerësuar pozitën aktuale ndërkombëtare të Kosovës?

ADRIAN GJINI
Mendoj se duhet të bëhet një ndarje, cila është pozita e Kosovës ndërkombëtarisht dhe si shihet Kosova; cila është perspektiva e vendeve, sidomos e atyre me të cilat ne jemi të interesuar jetësisht të kemi marrëdhënie si vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nëse flasim për pozitën e Kosovës, ajo nuk është shtet, nuk ka asnjë marrëveshje ndërkombëtare, e cila mund ta bënte pjesë të ndonjë strukture, qoftë të atyre të vendosura kohë më parë, apo strukturave të reja ndërkombëtare. Në këtë aspekt Kosova nuk ka ndonjë pozitë, e cila do të ishte e matshme. Ndërsa në aspektin se si shihet Kosova, që në një farë forme relative edhe mund te matet, mund të them definitivisht se Kosova sot shihet me një sy shumë më kritik, shihet në një dritë shumë më të zbehtë në krahasim me vitin 1999, ose para tij. Unë mendoj se shumë elemente kanë ndikuar që të ndodhë një gjë e tillë. Një prej elementeve është vetë situata, vetë ambienti, në të cilin Kosova është zhvilluar gjatë këtyre katër viteve- për herë të parë pa një prezencë të policisë dhe ushtrisë serbe, populli ka filluar të ndiejë lirinë dhe ka arritur që në disa pika edhe të abuzojë me atë liri. Një element tjetër është vetë rënia e interesit të faktorit ndërkombëtar, të qendrave të marrjes së vendimeve për situatën në Kosovë.
Kështu që si përfundim do të thoja se mënyra se si shihet Kosova prej bashkësisë ndërkombëtare është më e zbehtë. Kosova është në një situatë më të pavolitshme se ka qenë në vitin 1999.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, Qeveria e Kosovës nuk ka autorizime në fushën e politikës së jashtme, mirëpo në të njëjtën kohë kryeministri dhe mininistrat kanë takime të shumta me përfaqësues të zyrave të akredituara në Prishtinë dhe përfaqësuesit e qeverive të ndryshme, të cilët vizitojnë Kosovën. Për çfarë angazhohet kryeministri dhe qeveria e Kosovës në këto takime?

ADRIAN GJINI
Po, unë do të kisha thënë se janë disa elemente, për të cilat kryeministri sidomos, por besoj dhe ministrat, angazhohen në mënyrë të përhershme. Këto janë krijimi i mundësive për një bashkëpunim ekonomik, krijimi i mundësive për afirmimin e pozitës së Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe krijimi i mundësive për lëvizjen drejt ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe definitivisht pavarësisë së Kosovës. Mirëpo ka edhe tema specifike, të cilat zhvillohen në secilin takim të kryeministrit me bashkësinë ndërkombëtare. Një prej këtyre temave është edhe zbulimi i fatit të të rrëmbyerve dhe të zhdukurve, e cila ka qenë një temë permanente e punës së kryeministrit dhe e zyrës së tij deri më tash. Mirëpo të gjitha këto angazhime unë nuk do t’i kisha quajtur gjithësesi punë në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare për shkak se puna në këtë aspekt, e cila bëhet nga ministritë e jashtme të vendeve të ndryshme, nga ministritë e tjera dhe kryeministrat, konsiston më tepër në arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme, të cilat ndikojnë në bashkëpunimin ekonomik, kulturor, ushtarak, në luftën kundër krimit, etj. Këto mundësi Kosova sot nuk i ka dhe kjo është ajo që e pengon mundësinë që institucionet e Kosovës të bëjnë politikë të jashtme.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë prioritetet në kontaktet ndërkombëtare që ka Kosova?

ADRIAN GJINI
Unë pak a shumë i përmenda në pyetjen e mëparshme. Definitivisht është krijimi i mundësive për bashkëpunim ekonomik, për zhvillim ekonomik, për kyçjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, për thithjen e investimeve. Këto të gjitha kanë të bëjnë me ekonominë e Kosovës, sepse siç e dini një ndër prioritetet është zhvillimi ekonomik. E dyta, që është e pashmangshme, është avancimi i pozicionit të Kosovës dhe lëvizja rreth definimit të statusit përfundimtar të Kosovës që për ne nënkupton pavarësinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë përmendët statusin përfundimtar, a konsideron Qeveria e Kosovës, kryeministri i Kosovës se ka ardhur koha për fillimin e proçesit të bisedimeve për zgjidhjen e statusit definitiv?

ADRIAN GJINI
Qeveria e Kosovës në kushtet e tanishme është duke punuar për të pregatitur një terren sa më stabil për të filluar bisedimet, apo proçesin e përcaktimi të statusit përfundimtar të Kosovës. Ka shumë mendime lidhur me këtë aspekt. Qeveria ka mendimet e veta të cilat realisht shumë shpejt do t’i bëjë publike. Mirëpo, ne mendojmë që finalizimi i këtij proçesi do të ndodhë në dy vitet e ardhshme. Prandaj na bie barrë neve që nëse nuk arrijmë ta përfundojmë deri në zgjedhjet e ardhshme që janë pas një viti, atëherë të paktën të lemë të përgatitur një terren sa më të përshtatshëm për qeverinë e cila do të zgjidhet, në mënyrë që ajo të përfundojë proçesin e definimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Ne mendojmë fuqimisht se ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për definimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe se një gjë të tillë e ka të qartë edhe bashkësia ndërkombëtare. Shpresojmë se shumë shpejt do të shohim hapa drejt këtij synimi tonë.

Intervistoi Gëzim Baxhaku

XS
SM
MD
LG