Ndërlidhjet

logo-print

REZULTATI I SAMITIT TË SELANIKUT DO TË JETË RELAKSIMI I MARRËDHËNIEVE NË BALLKAN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Samiti i Selanikut do të shërbejë për fillimin e dialogut dhe relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka thënë sot kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci. Ai i bëri këto komente pas kthimit të delegacionit parlamentar të Kosovës nga vizita që bëri në Francë, vizitë, të cilën Daci e vlerësoi si të suksesshme. Kryeparlamentari i Kosovës tha se Evropa është duke e kuptuar gradualisht më mirë problemin e Kosovës dhe shprehu bindjen e tij se integrimi i Kosovës në strukturat evropiane do të jetë shumë më i shpejtë sesa vetë parashikimet. Sa i përket Samitit të Bashkimit Evropian në Selanik, Daci tha se ai e ka simbolikën e vet, pasi sipas tij, Kosova po e merr vendin e vet të barabartë krahas të gjitha vendeve tjera të rajonit. Ndërsa lidhur me dialogun e paralajmëruar me Beogradin, Nexhat Daci tha se këto bisedime do të përqëndrohen kryesisht në ato fusha për të cilat ka koncensus në të dy anët që të bisedohet.
“Finalja e këtyre bisedimeve do të jetë relaksimi i raporteve në Ballkan, raporteve do të thoja jetësore që qytetarët të mund t’i kryejnë punët e tyre, apo të realizojnë jetën pa kufizime. Por gabimisht këto raporte po i quajnë teknike”, tha zoti Daci. Më tej ai tha se fushat që duhet të relaksojnë gjendjen në Ballkan kanë të bëjnë fillimisht me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe krijimin e lehtësive të ndryshme të kalimit të kufijve, ashtu si kanë vepruar vendet e BE-së. Ndërsa sa i përket fazës përfundimatare të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Daci tha se këtu kemi një qasje krejt tjetër.

“Pikërisht qëllimi i vizionit tonë është që Beogradi të mos mundet më kurrë ta mbajë Kosovën peng. Ndërsa ne kemi kapacitet dhe aftësi që ata t’i mbajmë peng dhe t’i ndiejnë pasojat e veprimit 10 – 15 vjeçar në Kosovë”, theksoi zoti Daci.
Ai tha në vazhdim se pavarësisht nga fakti që në Evropë çështja e Kosovës po kuptohet gradualisht më mirë dhe po përfillen konceptet kosovare, në finalen e bisedimeve rolin prijës duhet ta kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës:
“Raportet e vendeve vendosëse në Evropë po shkojnë në favor të zgjidhjes së problemeve në Kosovë, prandaj është detyrë e institucioneve të Kosovës, që me Londrën, Parisin dhe Berlinin të kemi një qasje shumë profesionale në mënyrë që të ndihmohet dhe Uashingtoni, sepse pozicionet tona janë të qarta që për të gjitha çështjet e mëdha rolin udhëheqës duhet ta ketë Uashingtoni”.
Zoti Daci, është shprehur në mbështetje të delegacionit kosovar, i cili pritet të udhëtojë në kuadër të atij të UNMIK-ut në Selanik, ndërsa ka pohuar se ky delegacion, mund të refuzojë agjendat e caktuara, vetëm nëse ato vijnë në rend të ditës pa paralajmërime paraprake dhe pa dijeninë e kosovarëve.


XS
SM
MD
LG