Ndërlidhjet

KOSOVA- ZGJIDHJE PËR ROMËT NGA SHQIPËRIA?


Bekim Bislimi, Prishtinë

Një numër i shtetasve të Republikës së Shqipërisë, me përkatësi etnike rome, kohë më parë kanë ardhur në Kosovë me shpresën se do të gjejnë punë. Disa nga ta thonë se janë vendosur në Prishtinë dhe strehim të vetëm për ta dhe fëmijët e tyre i kanë tendat e improvizuara prej plastmasi.
Fatime Rrustemi, rome nga Fieri:
“Meqenëse u hapën rrugët, u bëmë Evropë dhe ne jemi një me Kosovën, kemi ardhur me shpresën se do të gjejmë punë”.
Hasan Muharremi, rom nga Shqipëria:
“Kemi ardhur të shikojmë që të gjemë ndonjë punë, ndonjë gjë që të ushqehemi. Tani s’ka punë dhe s’kemi çfarë të bëjmë ne këtu. I thashë nuses time, se do të detyrohem dhe të dal të lyp që të ushqejmë fëmijët. Këtu janë keq për vete, por megjithatë unë vajta dhe
kërkova. Ata më japin ushqim dhe diçka për fëmijët. Unë ul kokën nga turpi dhe më besoni, kam qarë…”.
Ndërkaq një numër i këtyre romëve theksojnë se në Shqipëri i kanë kushtet e vështira të jetës, prandaj ata bredhin nëpër vendet e ndryshme fqinje për të kërkuar lëmoshë.
Manare Dino, rome nga Shqipëria:
“Jemi romë. Ne nuk rrimë vetëm këtu, por shkojmë edhe në Greqi. Ç’ka të hamë, ku të shkojmë? Lypim dhe bredhim. Duam edhe ne të hamë, fukara jemi”
Abaz Ballkazi, rom nga Shqipëria:
“I kam 33 vjet. Erdhëm këtu për të lypur, do rrimë sa do rrimë dhe do të ikim përsëri në Shqipëri…Kam vajtur në Itali dhe Greqi, por tani kemi ardhur këtu. Ç’farë të bëjmë? Jemi 5 familje këtu. Kur bie shi mbulohemi me plastmas. Ku do të shkojmë…? Fitojmë ndonjë lek sa të
rrijmë këtu dhe ikim për në Shqipëri”. Ndërsa, Fatimja thotë se nga paratë që i merrnin si lëmoshë nuk mund të kursenin për t’i siguruar biletat e autobusit për t'u kthyer në Shqipëri. Ajo thekson se ato nuk ju mjaftonin as për ushqim dhe jo rrallë atë e siguronin
nga mbeturinat në kontejnerët e qytetit.
“Vajta dhe i mblodha këto për fëmijët. Çdo ditë shkoj te ai kazani atje dhe mbledh për të ngrënë. I kam 60 vjet…S’kam çfarë të bëj. Më mirë të lyp se sa të vjedh. Se kemi zanat vjedhjen dhe vendin e juaj nuk e fëlliq për vjedhje. Nuk dua…Prandaj edhe ngelëm tani këtu dHe nuk kemi ku të shkojmë. Jam edhe e sëmurë, po vdes. Ka disa ditë që më dhemb koka dhe nuk kam para që të shkoj e të marr një pako me ilaçe, tha Fatimja.
Në anën tjetër, zyrtarët e Shërbimit policor të Kosovës theksojnë se kujdesi për këta njerëz është nën kompetencën e Kuvendeve komunale. Refki Morina, zëdhënës i këtij shërbimi, thekson se siguria e këtyre
personave është nën kontrollin e policisë.
“Ata, ndërkohë, janë nën kontrollin e Shërbimit Policor të Kosovës, policisë ndërkombëtare, KFOR-it, por duhet të jenë edhe nën kontroll të Kuvendeve Komunale ose të rajoneve ku ata jetojnë dhe veprojnë,
për arsye se ne kemi obligim ndaj çdo qytetari që ka hyrë legalisht në Kosovë, që të kujdesemi sikurse për qytetarët kosovarë, për arsye se ata janë me dokumenta legale”, tha Refki Morina.
Sidoqoftë, shumica e këtyre romëve thanë se deri më tani asnjë nga institucionet nuk ju ka ofruar ndihmë, por këtë e kanë bërë qytetarët e Prishtinës.
XS
SM
MD
LG