Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS REKOMANDON QË PËRGJEGJËSITË MBI KEK-UN T'I MARRË QEVERIA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot disa rekomandime për tejkalimin e gjendjes së rëndë energjetike në Kosovë. Këto rekomandime janë miratuar pas një debati të gjatë me tone e kritika të ashpra kundër menaxhimit në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës këto katër vitet e fundit. Rekomandimet e miratuara i ka lexuar kryetari i Komisionit për Tregti e Industri, deputeti Bajrush Xhemajli, në të cilat kërkohet që kosovarët të marrin përgjegjësinë mbi KEK-un, kurse autoritetet ndërkombëtare të kalojnë në rolin e këshill dhënësit.
“Nen një; të formohet komisioni parlamentar për energjetikë. Nen dy; të nxirrren ligjet për veprimtarinë e KEK-ut. Nen tre; Qeveria e Kosovës të marrë sa më shpejtë përgjegjësitë në fushën e energjetikës dhe të formohet Ministria për Energjetikën. Nen katër; të rishqyrtohet ristrukturimi i KEK-ut në mënyrë që të bëhet profitabil dhe konkurrent në tregun rajonal të energjisë”, ka thënë Xhemajli.
Mirëpo, me këto rekomandime është pajtuar vetëm pjesërisht koalicioni “Kthimi”, të cilët kanë kërkuar që aty të përfshihet dhe kthimi i ish-punëtorëve serbë në punë dhe kërkesa tjera. Deputeti i “Kthimit” Oliver Ivanoviç tha se Kuvendi nuk ka kompetenca që të diktojë në mënyrë të pavarur ndryshime eventuale në KEK.
“Mendimi im është se ne nuk duhet të synojmë që në mënyrë të pavarur vërtetojmë gjendjen në KEK ngase kjo nuk do të na lejohet, por nëse insistojmë dhe këtë nismë e marrim së bashku me Qeverinë dhe UNMIK-un, atëherë kemi rastin që të bëjmë më tepër”, tha Ivanoviç.
Ndërkohë, në debatet e zhvilluara deputetët kanë kritikuar autoritetet ndërkombëtare menaxhuese të KEK-ut, duke i akuzuar ato për jo transparencë dhe jo profesionalizëm në punë. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike Sabri Hamiti, si edhe shumica e folësve, kërkoi që UNMIK-u të heqë dorë nga menaxhimi i KEK-ut, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të jetë ajo që do të merrej me energjetikën.
“Krejt këta njerëz të huaj kishin për të ndihmuar, por besomëni nuk janë profesionistë. Janë njerëz të dobët këta njerëz. Vijnë me lidhje, dinë diçka mirëpo dinë kaq pak dhe mirëpo mosdijen e tyre e mbulojnë gjithmonë me variacionet e përgjegjësive që i kanë ndaj tjetër kujt e jo ndaj Kosovës”, vlerësoi Hamiti.
Edhe zëvendësshefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berat Luzha, ka shprehur kritika të ngjashme kundër autoriteteve ndërkombëtare menaxhuese të KEK-ut.

“Vetë zoti Rieder e ka përmendur shifrën prej 611 milionëve, por ku janë çuar 400-500 milion të tjerë. Me këto para kanë mundur të ndërtohen, sipas ekspertëve, tre blloqe të reja termocentralesh, me të cilat do të zgjidhej përgjithmonë problemi jo vetëm për Kosovën”, ka theksuar Luzha.
Mirëpo me konstatimet e zotit Hamiti dhe Luzha, nuk është pajtuar plotësisht kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, i cili kërkoi nga deputetët që të mos i zgjerojnë fjalimet e tyre edhe për fusha, në të cilat nuk janë të ngritur as vet profesionalisht.

“Deputetët të mos dalin të lexojnë shkresa, për të cilat vet nuk kanë mundësi profesionale të thonë se janë apo nuk janë të vërteta. Të ruhemi nga ato për çfarë nuk jemi të sigurtë që kemi dokumentacion të vlefshëm. Unë po ju kërkoj kategorikisht dhe kur të thoni, që dini se me sa dollarë mundeni të ndërtoni, jeni krejtësisht, “out”, në stërnishtë, prandaj ju lutem”, u tha Daci deputetëve.
Në funksion të shikimit të mundësive që dimri i ardhshëm të mos e zërë Kosovën me një orar tre orë me rrymë e tre pa të, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj kërkoi marrjen e disa hapave të shpejtë në përmirësimin gjendjes së krijuar.
“Në radhë të parë ne duhet të japim një pasqyrë për menaxhim. Menagjimi në KEK çfarë është. U fol për teknologjinë, e këtu duhet të bëhet një shkoqitje edhe me propozime konkrete se si do të trajtohet teknologjia ekzistuese”, ishte propozimi i Haradinajt.
Përndryshe, çështja e energjisë elektrike në Kosovë, bën pjesë në fushat e rezervuara të shefit të administratës së Kombeve të Bashkuara dhe sipas një zëdhënësi të UNMIK-ut, kjo administratë mund të reagojë pasi t’i ketë lexuar këto rekomandime, edhe pse, shton ai, rekomandimet e Kuvendit nuk e obligojnë shefin e UNMIK-ut që të reagojë në ndryshime të caktuara për fushat e përgjegjësive të rezervuara për të.

XS
SM
MD
LG