Ndërlidhjet

N. RADOSAVLEVIÇ: KTHIMI I SERBËVE VARET NGA SHUMICA SHQIPTARE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dita e refugjatëve duhet të jetë ditë e kthimit të tyre, ka thënë sot këshilltari për të kthyerit në zyrën e UNMIK-ut, Nenad Radosavleviç, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në proces që ta përshpejtojnë kthimin dhe të sigurojnë kushte për kthimin e personave të zhvendosur.
Sipas Komisariatit për Refugjatë nga Kosova në Serbi, në përfundim të luftës janë zhvendosur rreth 200 mijë serbë, ndërkohë që procesi i kthimit, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë ka filluar së mbari, duke iu falënderuar edhe qëndrimeve të faktorëve politikë vendorë.
Sidoqoftë, tha zoti Radosavleviç, edhe pse janë krijuar disa parakushte për kthimin e të zhvendosurve, askush nuk mund të thotë se është i kënaqur me rrjedhën e deritashme:
"Rezultatet janë aq të dobëta sa nuk është popullarizuese që për to të flasin madje edhe ata që kanë punuar më së shumti për këtë"- tha këshilltari për të kthyerit në zyrën e zotit Steiner.
Edhe Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryeparlamentarit Daci, tha procesi i deritanishëm nuk mund të konsiderohet i suksesshëm:
"Politika e kthimit nuk ka dhënë rezultatet e pritura, pasi vetëm 7 mijë veta janë kthyer brenda katër vjetësh, dhe kjo është në shpërputhje me raportin e serbëve të shpërngulur nga Kosova"- tha Ramush Tahiri, për të vazhduar se fajtor për këtë mossukses janë raportet e reja të krijuara në Kosovë, si dhe pasojat e luftës së fundit në Kosovë, ku forcat e ish-regjimit kanë kryer masakra kundër shqiptarëve. Ai tha se politika do të duhej orientuar në drejtim të kthimit të serbëve të zhvendosur fillimisht në qytete të mëdha, ku ka një politikë më liberale ndaj kthimit dhe ku socializimi do të ishte më i lehtë.
Ndërkohë, Radosavleviç ka thënë se kthimi është një proces kompleks që kërkon angazhim të të gjithëve dhe krijimi i ambientit për të kthyerit është një pjesë e rëndësishme e procesit:
"Kthimi më së shumti varet nga shqiptarët, respektivisht nga popullata që është këtu shumicë dhe që do të jetë shumicë"- tha Radosavleviç, sipas të cilit ky proces varet në masë të madhe edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ai ka thënë, gjithashtu, se procesin e kthimit mund ta ndihmojë edhe zbatimi i plotë i ligjit në Kosovë, sidomos në zonat ku duhet të kthehen të zhvendosurit.

XS
SM
MD
LG