Ndërlidhjet

CH.PATTEN: BASHKIMI I EVROPËS NUK ËSHTË I PLOTË PA BALLKANIN


Augustin Palokaj, Selanik

Nesër në Samitin e Selanikut do të takohen liderët e Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit perëndimor dhe tashmë është e gatshme edhe deklarata që do të publikohet nesër pas këtij takimi. Kjo deklaratë nënvizon evoluimin pozitiv që është bërë në rajonin e Ballkanit perëndimor prej Samitit të Zagrebit e deri më sot dhe konfirmon se shtetet e Ballkanit kanë perspektivë të anëtarësimit në BE.
Kosova do të përmendet vetëm në disa rreshta në këtë deklaratë dhe as ato fjalë nuk do të sjellin ndonjë gjë të re për Kosovën, sepse në to do të përsëritet se liderët e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit mbështesin rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe politikën e UNMIK-ut të formuluar me fjalën " standartet para statusit". Komisionieri i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Christopher Patten, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp në pushimoren Porto Karas, ku ka përsëritur qëndrimin se bashkimi i Evropës nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin në të.
Patten ka thënë se për statusin e Kosovës duhet punuar në përmbushjen e standarteve para statusit dhe sipas tij komuniteti i Kosovës duhet të dijë se përmbushja e tyre dhe arritja e vlerave të përbashkëta evropiane, do të ndihmojë për t'u integruar në Evropë. Ne po shikojmë se në Kosovë po punohet me entuziazëm në këtë drejtim, ka thënë Patten. Ai ka përsëritur se pa marrë parasysh mungesën e statusit final të Kosovës, ajo nuk do të lejohet që të bëhet një gropë e zezë në Ballkan dhe Bashkimi Evropian do t'i ndihmojë edhe asaj për t'u integruar në rrjedhat evropiane përmes mekanizmave në kuadër të procesit të Asociim-Stabilizimit. I pyetur për mundësinë që në këtë samit, nesër, të takohen edhe liderët e Serbisë Malit të Zi me ata nga Kosova, Christopher Patten tha se takime të tilla janë gjithmonë shanse për të diskutuar dhe biseduar, e me bisedime shpesh arrihet deri tek zgjidhja më e mirë e problemeve.
Edhe përfaqësuesi i lartë Javier Solana, sot në Samitin e Selanikut, një ditë para takimit me liderët e Ballkanit ka shprehur një qëndrim të ngjashëm. I pyetur se a do të ketë takim nesër mes Beogradit dhe Prishtinës këtu në Selanik, Solana ka thënë :
" Unë nuk e di se a do të takohen ata nesër, unë mendoj dhe shpresoj që ata do të takohen gjatë ditëve të ardhshme. Nuk e di nëse është nesër momenti. Kam punuar me ta në përpilimin e një agjende për atë takim"-ka thënë Solana duke paralajmëruar mbajtjen e një takimi sa më të shpejtë mes Prishtinës dhe Beogradit, por duke mos përkufizuar as vendin, as kohën. Më tej Solana nënvizoi rëndësinë e një takimi të tillë:
" Unë mendoj se ata kanë çfarë të bisedojnë me njëri tjetrin. Është lajm i mirë se tani kam fituar përshtypjen se ata dëshirojnë të flasin me njëri tjetrin. Kam qenë në rajon, në Prishtinë dhe Beograd, në Podgoricë dhe kam fituar këtë përshtypje"- tha Javier Solana.

XS
SM
MD
LG