Ndërlidhjet

M. STEINER: PJESËMARRJA NË SAMITIN E SELANIKUT- E SUKSESSHME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfshirja e Kosovës në Samitin e Bashkimit Evropian, marrja e vendit adekuat të saj në proceset integruese si dhe hapja e shtegut për bisedimet e drejtpërdrejta Prishtinë – Beograd, ishin tre qëllimet tona para se të shkonim në Selanik, dhe që të tre këto qëllime i kemi përmbushur me sukses, ka thënë shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Michael Steiner. Ai i ka bërë këto komente sot, në një takim me disa media vendore e ndërkombëtare në Prishtinë. Steiner tha se risia që ka sjellur Selaniku sa u përket bisedimeve, ështe se pa marrë parasysh që bëhet fjalë për bisedime rreth disa çështjeve teknike dhe jo lidhur me bisedimet për statusin final, në këtë dialog do të përfshihen dhe faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Kryeadministratori Steiner tha se: “kemi marrëveshjen që këto bisedime duhet të jenë gjithpërfshirëse. Aty do të përfaqësohen institucionet e përkohshme të Kosovës, qeveria e Beogradit, pastaj Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Përfshirja e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, është cilësuar si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi si e domosdoshme për suksesin e bisedimeve, tha Steiner.
Takimi i parë i paralajmëruar për muajin korrik, sipas përshtypjeve të para të zotit Steiner me gjasë do të mbahet në Bruksel. Sidoqoftë, tha ai, komuniteti ndërkombëtar e ka pranuar se statusi i Kosovës mbetet çështje e pazgjidhur dhe se cilido që të jetë ky status, Kosova do të bëhet një ditë pjesë e Bashkimit Evropian. Kurse mesazhi i qartë që u është dhënë të dy palëve, theksoi ai, është se bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të shënojë rritje, por kjo nuk do të nënkuptojë dhe ndërhyrjen në çështjet e njërës apo palës tjetër.
Katër temat e para që Steiner i përmendi se me gjasë do të jenë në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë çështja e kthimit të personave të zhvendosur, pastaj çështja dhe fati i personave të zhdukur gjatë luftës, bashkëpunimi në transport dhe komunikacion, ku përfshihen dhe lehtësitë në kalimin e pikave kufitare, si dhe bashkëpunimi në rrjetin elektroenergjetik. Steiner tha gjithashtu, se ai ndihej i lumtuar që ka arritur ta sjellë procesin deri në këtë shkallë, por pohoi gjithashtu se ai vetë nuk do të mund t’i prijë procesit të bisedimeve për shkak të përfundimit të mandatit të tij në Kosovë:
“Ju e dini se unë jam në fund të mandatit, dhe se qëllimi im ishte që ta vë këtë proces në drejtim të duhur, kurse dialogu do të fillojë nën drejtimin e pasardhësit tim”- tha Steiner. Ai nuk e konfirmoi datën kur do të largohet nga posti i shefit të misionit të Kombeve të Bashkuara, por tha se kjo do të ndodhë para fillimit të bisedimeve të paralajmëruara për muajin korrik.


XS
SM
MD
LG