Ndërlidhjet

logo-print

SELANIKU, STACIONI I RRADHËS DREJT BRUKSELIT


Lutfi Dervishi

Nuk ka asnjë dyshim se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është në Bashkimin Europian. E vetmja pyetje që nuk merr përgjigje të saktë është koha. Tashmë ekzistojnë mekanizmat drejt anëtarësimit (Marrëveshja e Asociim- Stabilizimit, Pakti i Stabilitetit për
Europën Juglindore), ekziston vullneti politik dhe kjo u rikonfirmua edhe dje në Selanik në samitin e Bashkimit Europian, ekziston edhe ndihma ekonomike, megjithëse jo në shkallën e pritshme për të ndërmarrë reformat e mëdha strukturore dhe institucionale.
Bashkimi Europian, që po merr më shumë përgjegjësi në rajon edhe sa i përket çështjeve të sigurisë, siç është fillimi i punës së misionit policor të BE-së në Bosnjë Hercegovinë apo i operacionit Concordia në
Maqedoni, i ka vendosur tashmë në axhendën e integrimit edhe pesë vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse dekada e shkuar u harxhua për të shuar luftërat e njëpasnjëshme që shoqëruan shpërbërjen e ish-federatës jugosllave, tanimë lufta mbi baza etnike është një
opcion i përjashtuar nga klasa politike e vendeve të rajonit, ndërsa elementët ekstremistë janë gjithnjë e më tepër të marxhinalizuar.
Një zhvillim me rëndësi për të ardhmen e rajonit është përfshirja e Kosovës në tryezën e samitit të BE-së në Selanik. Kjo pjesëmarrje dëshmon edhe vullnetin politik për të ardhmen europiane të Kosovës dhe respektimin e aspiratës së popullit të Kosovës. Në kuadër të
integrimit rajonal, Kosova nuk mund të mbetej vrima e zezë në këtë hapësirë ballkanike.
Çfarë duhet bërë për të arritur standartet që ndan familja europiane? Me fjalë të përgjithshme mund të thuhet se vlerat që përbëjnë edhe themelet e BE-së, si demokracia, shteti ligjor, respektimi i të drejtave të minoriteteve, ekonomia e tregut dhe drejtësia, janë
përqafuar edhe në rajonin e Ballkanit. Por ndërsa reforma strukturore nuk mund të quhet as edhe e filluar, dhe institucionet demokratike mbeten të brishta, problemi më shqetësues mbetet krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilët mbeten pengesa reale për stabilitet demokratik dhe zhvillim ekonomik të rajonit. BE, ndjen çdo ditë e më tepër se këto vatra janë burime të vazhdueshme shqetësimi për të.
Sado ndihma ekonomike të injektojë Bashkimi Europian, nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik të qeverive të vendeve të rajonit për të instensifikuar luftën ndaj këtyre fenomeneve. Klasa politike dhe qeveritë përkatëse duhet të dëshmojnë para së gjithash me vepra
se janë të angazhuar për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafikun e qenieve njerëzore.
Një kërkesë unanime e vendeve të rajonit është liberalizimi i lëvizjes së lirë të njerëzëve. Kjo kërkesë është pranuar, por gjithmonë është theksuar se relaksimi i regjimit të vizave shkon paralel forcimin e shtetit ligjor, forcimin e kontrollit të kufijve dhe rritjen e sigurisë së dokumentacionit.
Bashkimi Europian nuk kërkon më qasje individuale, por një qasje rajonale. E me këtë rast merr rëndësi thellimi i bashkëpunimit mes vendeve fqinjë, konkretizimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë,
krijimi i tregjeve rajonalë, lëvizja e lirë e njerëzve në rajon, menaxhimi i mjedisit, bashkëpunimi kufitar dhe bashkëpunimi ndërparlamentar. Forcimi i rregullit demokratik në vendet e rajonit,
thellimi i bashkëpunimit mes fqinjëve, forcimi i luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten “detyrat e shtëpisë” që duhet të plotësojë Ballkani Perëndimor para se t’i lindë e drejta për të
aplikuar për të fituar statusin e anëtarit më të ri të Bashkimit Europian. Dera drejt BE-së mbetet e hapur, rruga është e qartë, mbetet vetëm plotësimi i detyrave.
XS
SM
MD
LG