Ndërlidhjet

logo-print

SHQIPTARËT TË RREZATOJNË DURIM PARA BASHKËSISË NDËRKOMBËTARE


VIKTOR IV GEBALI, profesor në Institutin për Studime Ndërkombëtare në Gjenevë

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova qe e pranishme për herë të parë në samitin e Bashkimit Evropian në Greqi, së bashku me përfaqësues nga vendet e tjera të Ballkanit. U tha se muajin e ardhshëm do të ketë bisedime për çështje praktike midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar. Çka do të thotë kjo për ju?

VIKTOR IV GEBALI
Mendoj se kjo është kryesisht simbolike. Duhet të ketë lidhje me atë që Romano Prodi, kryetar i Komisionit Evropian ka thënë se përderisa popujt e Ballkanit nuk janë pjesë e familjes evropiane, Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotësuar. Kjo ngjarje mund të hapë një erë të re në Ballkan, por statusi i Kosovës mbetet i pazgjidhur dhe ka gjasa se do të mbetet i pazgjidhur edhe për një farë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pasi statusi përfundimtar politik i Kosovës mbetet i pazgjidhur, si e shihni ju status quo-në, apo kur duhet të fillojë përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës?

VIKTOR IV GHEBALI
Fillimisht, unë do të thosha se gjendja e tanishme është tërësisht e joadekuate. Edhe shqiptarët edhe serbët janë të pakënaqur me gjendjen, dhe siç e dini Rezoluta 1244 është miratuar si kompromis për t'i dhënë fund ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Mua më duket se zgjidhje e vetme e arsyeshme do të jetë pavarësia, por pavarësia do të varet nga një varg faktorësh. Do të thosha se e ardhmja e Kosovës, i atribuohet faktorëve të shumtë ekonomikë dhe politikë, në mesin e të cilëve, i pari është aftësia e shqiptarëve që të rrezatojnë durim dhe fleksibilitet përballë bashkësisë ndërkombëtare, që do të thotë të pranojnë vazhdimin e status quo-s, derisa të vijë koha për ndryshim politik. Faktori i dytë, është aftësia e shqiptarëve që të vënë rregull në shtëpi, pra të çrrënjosin kriminalitetin e organizuar, dhe faktori i tretë, është pavarësia e mundshme e Malit të Zi. Nëse pavarësohet Mali i Zi dhe nuk do të ketë më shtet Serbi Mali i Zi, mendoj se situata politike do të kërkojë ndryshim politik. Së fundi, e ardhmja politike e Kosovës varet nga ndryshimi i qëndrimeve ekonomike dhe politike në Ballkan dhe gjithashtu nga suksesi i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund t'i ofrojë Bashkimi Evropian Kosovës në fazën në të cilën gjindet?

VIKTOR IV GHEBALI
Në këtë fazë, unë do të thosha vetëm karrota. Asgjë më shumë se kaq, meqë siç e dini, anëtarët e Bashkimit Evropian janë të ndarë sa i përket relevancës që t'u bëhen premtime shteteve nga Ballkani. Atyre iu duhet të përtypin së pari, pranimin e 10 shteteve anëtare të reja në Bashkimin Evropian. Do të thosha se këto janë vetëm takime, randevu, për t'u thënë se nëse ndiqni kursin e evoluimit paqësor dhe ndryshimin e qëndrimeve, ju do të keni të ardhmen brenda Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni Kosovën pas katër vjet të administrimit ndërkombëtar?

VIKTOR IV GHEBALI
Sigurisht që administrata është larg nga të qenit efikase, ose bile bindëse, për dy arsye. Së pari Kosova është kapluar nga një numër i dukurive, duke filluar nga kriminaliteti i organizuar, dhe është supozuar që administrata duhet të prijë dhe të kontrollojë, ndërsa është e qartë se kontrolli i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është defektiv. Arsyeja e dytë është se formula e administratës ndërkombëtare, nuk është e mirëseardhur, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Kjo dëshmon qartë se Rezoluta 1244 është mbështetur në premisa të parëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË


Cilët janë faktorët që mund t'i shpejtojnë zhvillimet ekonomike dhe politike në Kosovë në veçanti dhe në Ballkan në përgjithësi?

VIKTOR IV GHEBALI
Mendoj se në rradhë të parë shqiptarët duhet të vendosin rregull në shtëpinë e tyre, së dyti ata duhet të ofrojnë disa kompensime për serbët, sepse nëse ju deklaroheni për pavarësi, pavarësia nuk duhet të jetë brutale, por ajo duhet të negociohet. Së treti, pavarësia e Malit të Zi do të hapë një gjendje të re në rajon.

Intervistoi Lulzim Mjeku
XS
SM
MD
LG