Ndërlidhjet

B. REXHEPI: KA PAK GJASA PËR FILLIMIN E BISEDIMEVE GJATË KORRIKUT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ka pak gjasë që bisedimet me Beogradin të mund të fillojnë gjatë korrikut, qoftë për faktin se Kosova në atë kohë do të jetë pa kryeadministratorin e saj, qoftë për faktin se paraprakisht duhet arritur pajtueshmëria për agjendën e bisedimeve, kanë thënë sot zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës. Në një prononcim për Evropën e Lirë, kryeministri Bajram Rexhepi tha se ishte skeptik për një fillim të shpejtë të bisedimeve: “Realisht mundësitë janë shumë të vogla për shumë arsye. Një ndër to është se ne do të jemi pa kryeadministrator në atë kohë, tjetra është se do të bëhen ndërrime edhe nëpër zyrat e ndryshme, sidomos kur kemi insistuar që pjesëmarrës në takim të jenë edhe Bashkimi Evropian dhe SHBA”, tha kryeministri Rexhepi, sipas të cilit fillimi i shtatorit apo tetorit do të ishte koha më e përshtatshme për këto bisedime.
Edhe Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryeparlamentarit Daci, mendon se bisedimet nuk mund të fillojnë para se të pajtohen të dyja palët: “Nga pala serbe insistohet që kryeadministratorin Steiner të mos e kurorëzojnë me një sukses të fillimit të bisedimeve kosovaro-serbe dhe në këtë bazë ata janë të interesuar që këto bisedime të mos fillojnë gjatë mandatit të zotit Steiner”, tha Tahiri. Ai megjithatë ka thënë se shumë gjëra varen nga fakti se si do të kompozohet delegacioni. Nëse nuk kompozohet më herët, edhe Kuvendi do të jetë në pushime, ndërsa kryeministri ka kërkuar që të miratohet një platformë në parlament, tha Tahiri.
Vetë kryeministri Rexhepi ndërkohë mendon se ndërmjetësimi amerikan dhe i BE-së është i patejkalueshëm: “Pa pjesëmarrjen e SHBA dhe BE-së nuk mund të shoh asnjë sukses të bisedimeve. Ata duhet të jenë prezent në mënyrë që të kenë çfarëdo suksesi këto bisedime. Pra duhet të ketë parapërgatitje dhe të caktohet një agjendë të përbashkët për çështjet që do të bisedoheshin”, tha kryeministri, duke e arsyetuar këtë kërkesë edhe me faktin se palët që duhet të bisedojnë kanë kërkesa të ndryshme, që mund të jenë të papranueshme për ndonjërën palë.
Në anën tjetër, zoti Ramush Tahiri mendon se nuk do të ishte mirë të thuhet se jemi të papërgatitur për bisedime, pasi të gjitha ministritë janë të përgatitura.
Lidhur me mundësinë që këto bisedime të hapin rrugë për statusin final, kryeministri Rexhepi thotë se për momentin, nuk bisedohet për statusin final, edhe pse kjo ditë do të vijë, atëherë kur do të ketë gadishmëri në rajon dhe te fuqitë e mëdha ndërkombëtare: “Nuk mendoj se për statusin mund të bisedohet në raportin bilateral me një ndërmjetësim të lehtë. Aty ka shumë çështje. Duhet të kihet parasysh çështja e referendumit, që ndoshta duhet të bëhet paraprakisht dhe duhet të organizohet një konferencë ndërkombëtare e një niveli më të lartë, se sa kjo për çështje praktike, prandaj nuk mund të jenë bisedimet për statusin, vazhdimësi e bisedimeve për çështje teknike”, tha kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi.
Ndryshe, kryeministri Rexhepi mendon se është mirë që paraprakisht platforma e bisedimeve me Beogradin të diskutohet në parlamentin e Kosovës, në mënyrë që gjithçka të jetë e përgatitur dhe institucionale.



XS
SM
MD
LG