Ndërlidhjet

ZYRTARË TË BE-SË THONË SE BISEDIMET DO TË MBAHEN GJATË MUAJIT KORRIK


Augustin Palokaj, Bruksel

Zyrtarë të Bashkimit Evropian sot kanë thënë se presin ndryshime të dukshme në raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kur të fillojnë bisedimet për çështje teknike të interesit të dyanshëm.
Pos zgjidhjes së disa çështjeve praktike në fushat siç janë energjia, transporti, kthimi i të zhvendosurve, ky dialog do të ketë një rëndësi edhe në aspektin e krijimit të besimit, i cili për disa vite me rradhë nuk ka egzistuar në relacionin Prishtinë-Beograd, tha sot një zyrtar i BE-së, duke vlerësuar rëndësinë e lajmeve për dialogun të dalë pas samitit të Selanikut, të cilin e ka përmendur Javier Solana, përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, i cili tashmë ka marrë emërtimin si kumbar i negociatave Prishtinë-Beograd.
Ne jemi në një pozitë të qartë, kur mes Beogradit dhe Prishtinës kemi shumë kritika ndaj njeri tjetrit, por jo besim të ndërsjelltë. Kjo duhet të ndryshojë, siç ka ndryshuar edhe në mes të vendeve të tjera të rajonit, dhe kjo mund të ndryshohet vetëm nëse liderët nga të dyja palët takohen dhe bisedojnë me njëri- tjetrin, tha një diplomat evropian, duke nënvizuar se pastaj këtë praktikë mund ta ndjekin edhe njerëzit e tjerë. Edhe sot u tha se takimi sipas të gjitha gjasave, do të zhvillohet në Bruksel muajin e ardhshëm, ndërsa në ditët e mbetura do të bëhen edhe përgatitjet teknike për këto bisedime, për të cilat do të punojnë së bashku me UNMIK-un edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian. Disa diplomatë ndërkombëtare e vlerësojnë nisjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike, edhe si nisje të një rruge më të gjatë, e cila do të sjellë deri tek gjetja e statusit final të Kosovës, pa prejudikuar në këtë moment se cili do të jetë ai status. Edhe pse publikisht thonë se mungesa e statusit final të Kosovës nuk e pengon punën drejt integrimit të saj në BE, shumë diplomatë në biseda pritave, shprehen se Kosova pa status nuk mund të presë gjatë dhe se i tërë procesi i Stabilizim-Asociimit mund të pësojë, nëse nuk gjendet një zgjidhje adekuate për statusin final të Kosovës.

XS
SM
MD
LG