Ndërlidhjet

DEBAT NË PARLAMENTIN SHQIPTAR PËR LIRINË E SHTYPIT


Alma Çupi Tiranë

Partia Demokratike i kërkoi sot një mocion debati, kryeministrit Fatos Nano për rrezikun që i kanoset lirisë së shtypit në Shqipëri. Në hapjen e seancës kuvendore Emin Gjana, nënkryetari i Partisë
Demokratike, tha se Qeveria po vë nën presion dhe kontroll të hapur median në Shqipëri.
"Mediat e shkruara dhe ato elektronike në Shqipëri janë vënë nën presion të hapur nga ana e qeverisë, dhe në mënyrë të veçantë nga ana e kryeministrit Fatos Nano dhe e njerëzve rreth tij"- tha deputeti Gjana.
Në fjalën e tij kryeministri Fatos Nano, nuk pranoi asnjë nga akuzat e bëra në adresë të tij, përkundrazi ai akuzoi Partinë Demokratike, si protagoniste e dhunës ndaj medias, duke i bërë një përmbledhje kohës kur në pushtet ishte kjo parti. Kryeministri Nano tha se problemet e medias janë pjesë e proçesit të tranzicionit që po kalon e gjithë shoqëria.
" Liria e mediave në vlerësimin tim mbetet një proces i përmbushjes së komponentëve të një koncepti më të gjerë, që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, dhe si i tillë është një fenomen relativisht i ri që erdhi menjëherë me pluralizmin politik"- tha kryeministri Nano.
Jashtë seancës kuvendore, gazetarët thonë se lira e shtypit është e rrezikuar dhe arsyeja është presioni që bën qeveria tek mediat.
Armand Shullaku, drejtori i revistës javore Klan, akuzon direkt kryeministrin për manipulimin e medias.
" Kuptohet që zoti Nano nuk është kryeministri i parë socialist që të thuash solli praktikën, apo teorinë e manipulimit apo presionin mbi mediat. Kjo sigurisht ka qenë edhe në qeveri të tjera socialiste. Ka patur presion mbi mediat në një kohë ndoshta më të ndryshme, ndoshta jo në këtë mënyrë, megjithatë ndikimi ka qenë i madh edhe atëhere"- tha Armand Shullaku.
Të njëjtën gjë mbështet edhe botuesi i gazetës Albania Ylli Rakipi. Ai thotë:" Aktualisht neve në Shqipëri kemi krijuar monopole të fuqishme të mediave. Segmente të rëndësishme të media shqiptare janë monopole të qeverisë ose afër qeverisë, ose segmentet e tjera të shtetit. Në këtë mënyrë zhvillohet një trafik i ashpër influencash, një trafik që krijon situata të fuqishme ekonomike për një pjesë të medias shqiptare".
Debati Kuvendor u shoqërua me akuza të ndërsjellta. Megjithatë ky debat vlerësohet si hap i parë, i reagimit të politikës ndaj peticionit të bërë një muaj më parë nga disa gazetarë, të cilët apelonin për lirinë e rrezikuar të shtypit. Ky apel u mbështet edhe
nga përfaqësuesi i OSBE-së në Shqipëri, Kosmo Liponen.




XS
SM
MD
LG