Ndërlidhjet

P. JONES: "ËSHTË I PARAKOHSHËM DISKUTIMI I STATUSIT TË KOSOVËS"


Mbrëmë në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit Amerikan është mbajtur një seancë dëgjimore për Kosovën dhe vendet e rajonit.
Në të kanë marrë pjesë Paul Jones, zyrtar i lartë i ngarkuar me Ballkanin në Departamentin e Shtetit, Mira Ricardeli, ndihmëse e nënsekretarit amerikan të Mbrojtjes, përfaqësues të një morie institucionesh dhe organizatash joqeveritare që mbulojnë Ballkanin.
Në seancën dëgjimore të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë kanë folur dhe Daniel Serwer, drejtor i Nismës së Ballkanit, në Institutin amerikan të Paqes, William Nesh, ish-administrator i Mitrovicës dhe tani drejtor i Qendrës për Veprim Parandalues dhe James O'Brien nga Albright Grup.
Duke folur për gjendjen në Kosovë dhe veçanërisht diskutimin mbi statusin, zyrtari i Departamentit të Shtetit, Paul Jones, ka deklaruar:
"Ne besojmë se është e parakohshme të diskutohet për statusin e Kosovës. Në Kosovë njerëzit kërkojnë pavarësi, ndërsa në Serbi duan ndarjen e Kosovës.
Ne mendojmë se të shkosh në çdonjërin prej këtyre drejtimeve të mësipërme, mund të çojë në destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit të gjerë, i cili vetëm sa ka dalë nga një dhjetëvjecar konfliktesh.
Standartet më parë, të formuluara nga kryeadministratori Steiner, përfaqësojnë një mori çështjesh që në të tashmen janë burim i brishtësisë politike dhe jostabilitetit. Në mesin e tyre hyjnë e drejta e njerëzve për t' u kthyer, papunësia dhe mungesa e funksionimit të institucioneve vendore.
Përmbushja e këtyre standarteve do të jetë siguri se statusi përfundimtar i Kosovës do jetë burim qëndrueshmërie", tha Jones.
Ndërkaq në fjalën e tij ai u përqëndrua dhe në pasardhësin e zotit Steiner, duke nënvizuar se kush do të plotësonte më mirë kërkesat që shtron një pozicion i tillë.
"Sa i përket pasardhësit të zotit Steiner, është pikëpamja jonë se ky pozicion mund të përmbushet më së miri nga një evropian, që do të vinte nga një vend, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s njëherësh. Pasi vetëm kështu do të ndihmohej Kosova që të arrinte atë çfarë shumë në Kosovë dëshirojnë. Dhe ajo është marrëdhënie aktive me Bashkimin Evropian dhe lëvizje drejt kësaj strukture, pavarësisht nga fakti se çfarë mund të jetë statusi përfundimtar", tha Jones.
Ndërkohë në dëshminë e tij zoti Jones është përqëndruar dhe në gjendjen në vendet e tjera të dala nga ish-Jugosllavia.
Duke folur për Serbinë dhe Malin e Zi ai ka thënë se cilat janë kushtet për t'u anëtarësuar në "Partneritetin për Paqe".
"Beogradi është i informuar se më parë duhet të zgjidhë dy çështje kryesore: bashkëpunimin e plotë më Gjykatën e Hagës, përfshirë emrat kryesorë serbë në listën e të akuzuarve, si dhe të tërheqë akuzat dhe akt-paditë ndaj tetë aleatëve tanë të NATO-s që i ka bërë në Gjykatën ndërkombëtare. Sapo të zgjidhen këto dy probleme ne do mirëpresim Serbinë dhe Malin e Zi në Partneritetin për Paqe", tha Jones.
Duke folur për Bosnjën, zyrtari amerikan iu përgjigj kërkesave të Brukselit për të marrë drejtimin e misionit të SFOR-it në Bosnjë:
"Bashkimi Evropian ka shprehur dëshirën për të marrë përsipër drejtimin e misionit të SFOR-it në Bosnjë në të ardhmen. Ne besojmë se është e parakohshme të diskutohet kjo tani për disa arsye që u përmendën këtu. Po përsëris se rekomandimet nga gjeneralët tanë ushtarakë ishin që të mbahej një nivel trupash prej 12 mijë ushtarësh në Bosnjë. Ndërkaq Bashkimi Evropian nuk mund të drejtojë një mision të kësaj shkalle. Ka dhe një sërë detyrash të tjera që NATO-ja duhet të luajë atje, përfshirë kapjen e kriminelëve të luftës dhe luftën kundër terrorizmit, fusha në të cilat vetëm NATO-ja ka kualifikimin e nevojshëm, për më tepër me përfshirjen direktë të SHBA-ve.
Për këto arsye mendojmë se nuk ka ardhur koha të diskutohet një cështje e tillë, pra marrja e drejtimit të SFOR-it nga BE-ja", ka pëfunduar zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Jones.


XS
SM
MD
LG