Ndërlidhjet

ROBERTSON: "NATO MBETET E PËRKUSHTUAR PËR KOSOVËN DEMOKRATIKE, MULTIETNIKE DHE TË BASHKUAR"


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Tani kur Kosova ka institucionet e veta ka ardhur koha që njerëzit t’i marrin përgjegjësitë e plota për ndërtimin e një Kosove demokratike, multienike dhe të bashkuar, për të cilën NATO-ja është e përkushtuar, ka thënë sot në fillim të një vizite në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson. Lordi Robertson ka arritur sot në aeroportin e Prishtinës i shoqëruar nga 19 ambasadorë të NATO-s dhe 7 ambasadorë të vendeve që do t’i bashkohen NATO-s vitin e ardhshëm, për t’u takuar me drejtues vendorë e ndërkombëtarë të Kosovës: “Ne kemi mesazhe shumë të forta, para së gjithash - puna që duhet të përfundohet është Kosova multietnike, demokratike dhe e bashkuar”, tha lordi Robertson për të shtuar se ka ardhur sot në krye të këtij delegacioni, për nënvizuar përkushtimin e NATO-s për Kosovën dhe vendosmërinë tonë për të garantuar sigurinë për popullin e Kosovës. Ai tha se reduktimi i trupave të KFOR-it nuk do të ndikojë në efektivitetin për kryerjen e misionit. “Ndoshta do të ketë reduktim forcash, por ne nuk do të t’i reduktojmë standardet për të përkrahur UNMIK-un në detyrat që kryen”, tha Robertson, i cili menjëherë më pas, i shoqëruar nga 26 ambasadorët dhe nga komandanti i KFOR-it gjenerali Fabio Mini është takuar me kryeadministratorin e Kosovës Michael Steiner, i cili çmoi lart përkrahjen e NATO-s për misionin e UNMIK-ut dhe për zhvillimet e fundit. “Është inkurajues fakti se Këshilli i NATO-s dhe lordi Robertson kanë miratuar politikën tonë që doli nga Selaniku për dialog të drejtpërdejtë dhe përparimin e arritur në Selanik dhe në Kosovë”, tha Steiner në një konferencë të përbashkët me shtyp me lordin Robertson, i cili tha se angazhimi i tij i vazhdueshëm rreth Kosovës ka bërë që një pjesë e tij gjithmonë të jetë në Kosovë.
Me këtë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se tani kur Kosova ka institucionet e veta është koha e përshtatshme për të ndërtuar shoqërinë demokratike dhe tolerante. “Me këto institucione, qeverinë dhe parlamentin, ka ardhur koha që njerëzit të marrin përgjegjësitë e plota, për t’u siguruar se kjo është një shoqëri multietnike”, tha Robertson, duke potencuar më pas rëndësinë e TMK-së si një organizatë për emergjenca civile, e cila nuk mund të përbëjë embrionin e një ushtrie të ardhshme dhe që sipas tij duhet të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni.
Lordi Robertson takohet pasdite me kryeministrin Rexhepi, me komandantin e TMK-së, gjeneralin Çeku dhe me disa drejtues të misioneve diplomatike perëndimore në Kosovë.


XS
SM
MD
LG