Ndërlidhjet

N. DACI:"KOSOVA U TAKON TË GJITHË QYTETARËVE TË SAJ"


Nexhat DACI, kryetar i Kuvendit të Kosovës


Evropa e Lirë
Zoti Daci, Ju njiheni në opinion, kushtimisht thënë si kritikuesi më i madh i administratës së UNMIK-ut në Kosovë. Andaj cilat janë raportet aktuale më këtë administratë?

Nexhat Daci
Unë vazhdimisht kamë dëshiruar t’u prijë proceseve në Kosovë, në kuptimin që Misioni i Kombeve të Bashkuara këtu të jetë misioni i parë i sukseshëm, do të thotë të ketë një sukses të plotë. Unë kam një qasje, pas analizave që u kam bërë të gjitha misioneve të Kombeve të Bashkuara këto 50 vitet e fundit, ato misione kanë qenë pjesërisht të sukseshme. Dhe, mendimi im është që storia më e sukseshme në historinë e re pas Luftës së Dytë Botërore, e bashkësisë ndërkombatare ka qenë Kosova dhe ka qenë një vullnet i madh i imi që kjo storie ta ketë një “happy end”, ta ketë një mbarim të sukseshëm. Prandaj unë kam qenë gjithmonë të themi, analitik, kritik në ato aspekte dhe fakti qëndron këtu, se në gjitha lëmitë, në veçanti në ekonomi, në ristartimin e ekonomisë, në punësim, në edukim, në shëndetësi, nuk i kemi pasur sukseset që i kemi potencialet për t’i pasur dhe mendoj që pengesa kryesore ka qenë burokracia e UNMIK-ut, që është një mekanizëm që lëvizë shumë ngadalë. Një mekanizëm tejet heterogjen ku diku 60 deri në 100 shtete participojnë në të dhe me një nivel të profesionalizmit krejtësisht variabël. Kjo është ajo që unë e them se UNMIK-u nuk e ka një profesionalizëm që i nevojitet Kosovës për ta ristartuar ekonominë e saj, në një ekomomi të tregut. E dyta, ka tejet interesa të parcializuara në atë burokraci. Që është e vërtetë unë kurrë këtu nuk kam menduar në njeriun e parë dhe në një numër të njerëzve, sepse do t’ishte gabim të thuhet se krejt UNMIK-u është joprofesional. Dhe e dyta, ajo që unë i sulmoj intensivisht kohëve të fundit është për shkak të krijimit të një llojë paralelizmash në institucione. Dhe, unë kam shumë vërejtje në qeverinë tonë në atë drejtim që nuk po gjen formë ta ushtroj kapacitetin e vet veprues. Brenda Ministrisë së Financave është krijuar një segment tjetër prap i UNMIK-ut që do ta ketë nën kangja, të themi, financat, buxhetin e Kosovës. Unë edhe në seancën plenare e kam thënë se unë nuk e pranoj më ekzistencën e paralelizmave të tillë, qeveria duhet t’i marrë përgjegjësitë e plota dhe të veproj. Prandaj, këto janë qasjet e mia me të cilat shpesh herë nuk është pajtuar bashkësia ndërkombëtare, por individualisht gjithmonë kam pasur përkrahjen nga të gjitha shtetet individuale.

Evropa e Lirë
Në deklaratat e mëhershme e patët cilësuar qershorin e këtij viti si muaj kur çështja e Kosovës do të fillojë të marrë një kahje të caktuar. Sa është realizuar kjo dhe kur e pritni përmbylljen e çështjes së pazgjidhur të Kosovës?

Nexhat Daci
Qasja ime nga dita e parë që kam ardhë në këtë zyre ka qenë që “kutia e pandorës”, e statusit të Kosovës, e vizionit për ardhmërinë duhet të hapet nga mesi i 2003-ës. Në fillim në 2002-shin kam pasur diku 220 takime vetëm me ndërkombëtarët dhe pjesa më e madhë në mua kanë shikuar si në një diletant politik ose si një shkenctar i çmendur i cili nuk ka lidhje me realitetin, sepse parashikohej që 10 vitet e para të mos diskutohet për këtë. Sot mund të them se mbi 70 përqind e bashkësisë ndërkombëtare e ndanë mendimin tim për këtë. Mendoj që institucionet tona kanë arritur që ta bindin bashkësinë ndërkombëtare që prolongimi i pakufishëm i zgjidhjes së statusit të Kosovës është një porosi e keqe edhe për Evropën edhe për rajonin. Kjo për shumë arsye. Një se po humbet kredibiliteti dhe kredia shumë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe populli i Kosovës po frustrohet me atë që nuk po sheh ndonjë përspektivë të qartë në ekonomi dhe standardin e jetës, në siguri e drejtësi. Dhe e dyta, unë do të thoja që ne mund të bëjmë edhe më tepër. Jam i lumtur dhe jam shumë optimist që Kosova sot, do të thotë në mesin e 2003-shit, një përkrahje që ne as nuk e kemi imagjinuar nga bashkësia ndërkombëtare. Do të varet kryesisht nga ne a do ta realizojmë atë që unë them, kjo nomenklaturë, do të thotë ky mandat i institucioneve tona duhet ta përfundoj këtë storie dhe 2005-shi, diku gjatë 2005-shit, vera e këtij vitit, duhet të jetë ajo që Kosova ta ketë plotësisht të definuar statusin e saj. Por, ka hezitime brenda nesh. Dhe ajo që është më e dhimbshmja në institucionet tona, në partitë politike që participojnë në institucione, nuk ka kurajo qytetare dhe poilitike që qytetarëve t’u thuhet e vërteta, që Kosova u takon krejt qytetarëve të Kosovës.

Evropa e Lirë
Zoti Daci, ju po aludoni këtu në qëndrimin ndaj pakicës serbe në Kosovë?

Nexhat Daci
Unë kam qenë i qartë prej ditëve të para. Do të thotë kthimi i gjithkujt në pronën e vet, në vendin e vet dhe i protektuar, i mbrojtur me ligjin në mënyrë të barabartë. Këtu duhet të jemi më ofensiv, mos t’i krijojmë iluzione se ne kemi standarde të dyfishta ose të trefishta që dikush donë të kthehet e dikush të mos kthehet. Të gjithë ata që e pranojnë Kosovën si Kosovë të re, si realitet të ri, janë të mirëseardhur në Kosovë dhe ne do të punojmë me përkushtim që t’i zgjidhim të gjitha problemet e të gjithë qytetarëve të Kosovës në mënyrë të barabartë.

Evropa e Lirë
Në analiza të ndryshme, thuhet se pas misionit të Kombeve të Bashkuara, në Kosovë mund të instalohet një misionin i Bashkimit Evropian. A është diskutuar kjo çështje në takimet tuaja me zyrtarë ndërkombëtarë dhe vendorë?

Nexhat Daci
Kjo mundësi kohëve të fundit debatohet, por qasja e saj është e diferencuar. Unë nuk mendoj që Kosovës i duhet administrim i askujt, por që Kosovës i duhet Bashkësia Evropiane përgjithmonë në Kosovë, si edhe Shtetet e Bashkuara, Kanada e Japonia. Të pranishëm si biznes, si investitor, si këshilltar në institucione. Unë mendoj që kam nevojë tërë jetën rreth meje të kem intelektual botëror, të cilët me përvojën e tyre me profesionalizmin do të ndihmonin në ecjen e Kosovës. Ata vendorë që mendojnë që Kosova duhet të jetë nje “getto” ose një banane në Afrikë, e kanë katastrofë gabimisht sipas konceptit tim. Do të thotë Bashkësia Evropiane - po. Kosova në Bashkësinë Evropiane - po. Por, në asnjë mënyrë unë nuk shoh që dikush është më i përgatitur se unë ose se kosovarët. Kur them se unë, unë mendoj gjithmonë në Kosovën. Në Kosovë resursi njeri është shumë i pasur, në veçanti te të rinjët. Unë jam, profesor universiteti dhe është kënaqësi kur bisedoj në Universitet, sa të përgatitur janë rinia, në teknologji informative, në njohjen e gjuhëve, në vullnetin për t’u kyqur në procese. Prandaj unë nuk e shoh të arsyeshme që Kosova nga një administrim i Kombeve të Bashkuara të kaloj në një administrim tjetër, nuk do ta kenë përkrahjen.

Evropa e Lirë
Zoti Daci, Një temë e pakalueshme këtyre ditëve ishte dialogu i paralajmëruar ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Fillimisht pritej që bisedimet të nisin në Selanik, mirëpo kjo nuk ndodhi, andaj cili është qëndrimi i juaj si rreth bisedimeve ashtu edhe shtyrjes së kontaktit të parë zyrtarë të paralajmëruar me Beogradin?

Nexhat Daci:
Unë kam qenë gjithmonë dashamir i asaj që duhet të bisedohet, duhet të kontaktohet, duhet të relaksohen raportet. Prandaj edhe me Beogradin, unë kam forcë dhe kapacitet t’u them kosovarëve se ekonomia e Kosovës është komplementare me ekomominë e Beogradit, me ekonominë e Serbisë. Resurset, burimet natyrore të Kosovës janë komplementare edhe me ato të Serbisë dhe një dalje tokësore e Kosovës në botë, është një rrugë më e shkurtë në atë drejtim. Prandaj, kam qenë gjithmonë për kontakte, kemi shumë probleme që duhet t’i zgjidhim bashkarisht, por ajo që unë vazhdimisht kam insistuar që ato kontakte duhet të jenë vetëm në nivel të nomenklaturave. Kjo nënkupton që ne të jemi të barabartë. Këtë e kam kërkuar në Selanik dhe kam qenë i pari që kam thënë po, duhet të shkojmë dhe pastaj e kam shprehur pakënaqësinë time dhe mendoj se ka qenë një lëshim i madh i Bashkësisë Evropiane që nuk e ka imponuar së paku optikisht takimin, sepse ka pasur një simbolikë, Kosova ishte në përbërjen më të lartë institucionale, me Presidentin dhe Kryeministrin, ishte një vend ku institucionalisht shihej që Kosovës po i ofrohet një përspektivë e barabartë dhe në këtë është zhgënjimi im në përgatitësit e atij takimi që kanë rënë nën presionet e Beogradit. I është bërë një lëshim Beogradit që përmbajtësisht nuk ka ndonjë rëndësi, por është porosi e keqe për Kosovën, se sa ne kemi besim, sa ne duhet të besojmë në kapacitete vepruese dhe ne referenca evropiane. Prandaj, kjo më shtyn të jem shumë vigjilent, do të thotë takime po, por jo në kohën kur propozon Beogradi, jo në përbërje kur propozon Beogradi dhe jo vendin ku propozon Beogradi, pa pëlqimin tonë. Do të thotë, takim i përgatitur mirë. Ne kemi një platformë, një koncensus për këtë. Nuk kam fare ndonjë kompleks imferioriteti për institucionet tona dhe nuk mendoj se para vjeshtës do të ngjanë diçka, e as që mendoj se duhet të takohemi para vjeshtës, sepse pason ndryshimi i Përfaqësuesit Special dhe është temperaturë e lartë, e në temperatura të larta zakonisht nuk arrihen rezultate qetësuese.
Intervistoi: Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG