Ndërlidhjet

REXHEPI: MANDATI I NATOS NË KOSOVË NUK DO ZBEHET


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Mandati i NATO-s nuk do të zbehet në Kosovë, pa marrë parasysh krizat tjera globale, ka thënë kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë. Ai ka thënë se edhe nëse vjen deri tek ndonjë reduktim i numrit të ushtarëve të NATO-s, nuk do të zbehet aftësia e tyre dhe veçanërisht angazhimi i tyre në luftën kundër krimit të organizuar.
"Ata premtuan se do të kyçen më shumë në parandalimin e krimit të organizuar, në respektimin e rendit, ligjit si dhe transmetuan shumë mesazhe të tjera", tha kryeministri Rexhepi, i cili më pas ka folur për vërrejtjet e Sekretarit të Përgjithshëm të Natos, Lordit George Robertson drejtuar Trupave Mbrojtëse të Kosovës, sipas të cilit komuniteti ndërkombëtar nuk e sheh këtë organizatë si një embrion të një ushtrie të ardhshme të Kosovës. Përkundër kësaj, kryeministri Rexhepi ka kërkuar nga zoti Robertson që TMK-ja të inkuadrohet në më shumë projekte dhe trajnime të përbashkëta më ushtarët e KFOR-it.
"Ti jepet hapësirë edhe në procesin e rindërtimit të Kosovës dhe infrastrukturës. Ka patur shumë raste të mira, qoftë për ujësjellës, rrugë të ndryshme, ku edhe në rrethet multietnike e kanë dëshmuar përkushtimin", tha kryeministri i Kosovës. Ndryshe, nënkolonel Shemsi Syla, zëdhënës në Shtabin e Përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, tha se kjo organizatë punon që në një të ardhme të bëhet forcë mbrojtëse e popullatës kosovare. Duke u ndërlidhur me vërrejtjet e Sekretatir të Përgjithshëm të NATO-s, ai tha se TMK-ja edhe më herët është ballafaquar më kritika dhe shqetësime nga faktori ndërkombëtar dhe sipas tij, këto kritika shumë herë kanë qenë të bazuara në informacione jo konkrete.
"Ne në asnjë moment nuk heqim dorë nga ajo që nesër të bëhemi një organizëm shumë i fortë dhe i besueshëm, një organizëm mbrojtës, që do të jetë në funksion të përhershëm të qytetarëve të Kosovës. Prandaj të gjitha thëniet e tjera, çfarëdo qofshin dhe prej kujtdo qofshin, nuk kisha dashur t'i komentoja, pasi dihet se misioni jonë për momentin është i tillë"- tha zëdhënësi i TMK-së. Megjithatë, Shemsi Syla pranoi faktin se TMK-ja nuk është organizatë e përkryer dhe pikërisht për këtë arsye, ai tha se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar në krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon gëzojnë përkrahje.
XS
SM
MD
LG