Ndërlidhjet

MOORE: "TRASHËGIMIA E KENNEDIT DUKET TË JETË MBYTUR"


Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, këtë javë në Uashington janë takuar presidenti Bush dhe liderët e Unionit Evropian. A është ky fillimi i uljes së tensioneve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian pas mosmarrëveshjeve rreth Irakut?

PATRICK MOORE
Le të rikujtojmë se kush e vizitoi presidentin Bush në Uashington këtë javë.
Këta nuk ishin liderët e shteteve individuale anëtarë të Bashkimit Evropian, por kryetari i Komisionit të BE-së Romano Prodi, Shefi i politikës së Jashtme Javier Solana, dhe Costas Simitis, kryeministri i Greqisë, si kryesuese e radhës e BE-së.
Këta nuk ishin personat me të cilët ai pati konflikte më të ashpra mbi Irakun, prandaj Iraku nuk kishte pse të jetë pjesë e agjendës së bisedimeve.
Amerikanët zakonisht e parapëlqejnë përdorimin e mjeteve ushtarake në zgjidhjen e këtyre problemeve, ndërsa evropianët kanë më tepër qasje negociatash, por të dyja palët kanë pikëpamje të përbashka rreth programit bërthamor të Iranit.
Gjithashtu Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga evropianët bllokimin e fondeve për Hamasin. Ky është problem pasi disa evropianë, sidomos francezët besojnë se Hamasi duhet të jetë pjesë e çfarëdo plani paqeje. Dhe këtu qëndron dallimi i këndvështrimeve. Gjithashtu ka pikëpamje të ndryshme lidhur me ushqimet e modifikuara gjenetikisht, apo tregtinë. Edhe pse nuk ishte takim i gjigantëve të politikës ndërkombëtare, që trajtuan çështjen e Irakut, kishte mjaft çështje të tjera të rëndësishme që u trajtuan dhe u arritën marrëveshjet dypalëshe.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë Gjermania shënoi 40 vjetorin e fjalimit të njohur të John Kennedit në Berlin, ku mes të tjerash ai tha "edhe unë jam Berlinas". Gjermania ka shprehur mirënjohjen për miqësinë dhe mbështetjen e atëhershme të Amerikës.

PATRICK MOORE
Po, dhe për shumë vite në fakt kjo ka qenë e vërtetë. Tani problemi është se ka patur ndryshim të gjeneratave në botë. Shumë prej adhuruesve të Kennedit, që asokohe ishin në moshë të mesme, tani janë të moshuar ose kanë vdekur, ndërsa gjenerata e re atë që di, e di nga librat e historisë ose programet televizive.
Shumë gjermanë që i kundërvihen një aleance të ngushtë me Shtetet e Bashkuara thonë se nuk mbajmë mend që amerikanët ti kenë ndihmuar pas Luftës së Dytë Botërore, nuk e mbajnë mend Kennedin etj etj. Por, nuk mendoj se janë aq të rinj të kenë harruar se çfarë bënë amerikanët për ta në 1989, kur bashkimi i Gjermanive u bë një çështje kyçe në marrëdhëniet ndërkombëtare, kur Britania, Franca dhe Rusia ishin kundër, ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin të vetmet që e mbështetën bashkimin. Jetoja në Gjermani atëherë, dhe më kujtohet një debat televiziv, në të cilin merrnin pjesë edhe gazetarë totalisht anti-amerikanë. Ata megjithate e përmendën një proverb gjerman, që thotë se miku i mirë njihet në kohë të vështira. Dhe në atë kohë amerikanët ishin miqtë e vetëm të gjermanëve. Mendova se këtë nuk do ta harrojnë kurrë, por mendoj se gabova, sepse siç e pamë vjet, jo vetëm që qeveria i fitoi zgjedhjet mbi platformën anti-amerikane, por në mediat gjermane, tërë vitin ka patur shfaqje absolute të anti amerikanizmit. Pra kujtimi i Kennedit dhe trashëgimia e tij duken të jenë mbytur.
Kam lexuar një intervistë me ambasadorin gjerman në Shtetet e Bashkuara. Kur vetë ai pohon se marrëdhëniet duhet ndërtuar mbi bazë të re pa asnjë referencë ndaj asaj që kanë bërë Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, atëhere më vjen keq, që ky njeri ka udhëtuar anembanë vendit tonë, dhe nuk ka mësuar asgjë për mentalitetin dhe kulturën tonë. Është pjesë e traditës amerikane mirënjohja ndaj atij që të ndihmon. Prandaj amerikanët janë kaq të inatosur me gjermanët dhe francezët. Ne u kemi ndihmuar në të kaluarën, dhe për këtë presim një lloj mirënjohjeje dhe respekti. Dhe tani, zoti ambasador thotë që kjo nuk duhet marrë në konsideratë, por duhet të shtiremi sikur u takuam dje. Mendoj se ka problem në këtë këndvështrim. Por gjithsesi kjo e reflekton ndryshimin e gjeneratave, ndërsa në të dyja anët e Atlantikut ka vendim-marrës, për të cilët Kennedi është thjesht pjesë e një libri historie.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, cila është në përgjithësi perspektiva e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian?

PATRICK MOORE
Disa muaj para sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Henry Kissinger, që konsiderohet krye-arkitekti i politikës së jashtme amerikane në vitet 70-ta, e botoi një libër me titull: "A u nevojitet Shteteve të Bashkuara një politikë e jashtme"?
Ai argumentonte se nuk duhet vetëm një lloj politike të jashtme, por lloje të ndryshme të politikës së jashtme për anë të ndryshme të globit, që kanë probleme të ndryshme. Kur Henri Kissinger shkruante për BE-në dhe Evropën Perëndimore, theksoi se më e lehtë është të merresh vesh me shtetet e Evropës perëndimore veç e veç.
Ndërsa kur negociohet me BE-në, ata kanë pozicion të unifikuar si rezultat i kompromisit mes vendeve anëtare, dhe nëse do të ndryshosh ndonjë gjë në pozicionin e tyre negociues, atëhere ata duhet të kthehen dhe të ridiskutojnë me gjithë anëtarët, që është një një kaos i vërtetë. BE-ja nuk është fleksibile, vendet individuale janë fleksibile ose mund të jenë. Pra ky ka qenë problemi mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian edhe para diskutimeve mbi Irakun. BE-ja, ashtu siç është i konceptuar nuk është një partner fleksibël bisedimesh. Do jetë me interes të ndiqen zhvillimet e mëtejme, ç'do ndodhë me BE-në pas pranimit të 10 anëtarëve të rinj, kur do të ketë 15, 25, dhe ndoshta në një të ardhme edhe mbi 30 anëtarë. A do të absorbohen anëtarët e rinj nga kultura antiamerikane burokratike e BE-së dhe ta transformojnë atë në një të ashtuquajtur Monstër të Frankenshtajnit, që amerikanët ndihmuan të krijohej pas Luftës së Dytë Botërore, apo prezenca e polakëve, çekëve, hungarezëve në tavolinën e bisedimeve në Bruksel do të ndihmojë në transformimin e BE-së në një organizatë më pak arrogante dhe më shumë të arsyeshme.
Kjo mbetet për t'u parë.

Intervistoi Melazim Koci
XS
SM
MD
LG