Ndërlidhjet

logo-print

JANUSZ BUGAJSKI: E ARDHMJA E KOSOVËS DUHET TË VENDOSET NGA POPULLI I KOSOVËS DHE KOMUNITETI NDËRKOMBËTAR


"Mendoj se vizioni dhe realiteti i pavarësisë dhe i krijimit të shtetit…do të fortifikonte procesin e konsolidimit demokratik dhe ndërtimin e institucioneve. Do të thoja se të dy proceset duhet të ecin paralelisht… pra jo standarde para statusit por standarde me status" – thotë, pos tjerash, Janusz Bugajski, drejtor për Evropën Lindore në Qendrën për studime strategjike dhe ndërkombëtare me seli në Uashington, duke folur për zhvillimet lidhur me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë, gjatë korrikut do të mbahen bisedimet ndërmejt Prishtinës e Beogradit për çështjet praktike. Si i vlerësoni këto bisedime duke pasur parasysh edhe qëndrimet aktuale të politikanëve si në Prishtinë ashtu dhe në Beograd?

JANUSZ BUGAJSKI
Të dy palët, pra Prishtinën dhe Beogradin, i shoh shumë larg njëra tjetrës për çështjen më thelbësore, statusin e ardhshëm të Kosovës. Ajo që mund të kemi tash është një diskutim i përgjithshëm i nivelit të ulët për çështje praktike… si kthimi i refugjatëve apo projektet e infrastrukturës dhe çështjet ekonomike. Nuk shoh ndonjë kthesë të madhe ashtu siç nuk e shoh ende një agjendë, madje nuk është caktuar akoma as koha e saktë apo vendi i bisedimeve. Mendoj se kjo ide është ende në fazat e para.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se në çështjen e statusit final të Kosovës Beogradi nuk është palë, duke argumentuar se është një çështje që i përket popullit të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, të premten revista Economist shkruajti se e ardhmja e Kosovës në Evropë do të varet, përfundimisht, nga një marrëveshje me Serbinë. Si e shihni ju në tërësi këtë çështje?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se pozicioni i parë i afrohet më shumë të vërtetës. Përfundimisht e ardhmja e Kosovës duhet të vendoset nga populli i Kosovës në bisedime, në negociata, me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht me Kombet e Bashkuara, me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Beogradi ka për të luajtur një rol, në kuptimin që ka disa interesa në Kosovë që lidhen me pakicat, çështjet e pronësisë, kufijve dhe çështjeve të sigurisë ndërkombëtare. Sipas mendimit tim Beogradi duhet të përfshihet në proces pasi të jetë caktuar orari, një afat kohor për pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Administrata ndërkombëtare në Kosovë po kërkon nga instritucionet kosovare plotësimin e disa standarteve. Cila sipas mendimit tuaj do ishte mënyra më e mirë për zgjidhjen e kësaj çështjeje?

JANUSZ BUGAJSKI
Kjo ide e standarteve para statusit është njëlloj sikur të vihet "qerrja para kalit". Nevojitet një plan etapash dhe një përcaktim para se të ecet në atë rrugë. Është shumë e vështirë të ndërtohen institucionet kur ne nuk e dimë se cili është përcaktimi apo qëllimi përfundimtar i këtyre institucioneve. Prandaj mendoj se vizioni dhe realiteti i pavarësisë dhe i krijimit të shtetit…do të fortifikonte procesin e konsolidimit demokratik dhe ndërtimin e institucioneve. Do të thoja se të dy proceset duhet të ecin paralelisht… pra jo standarde para statusit por standarte me status.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se tash është koha për fillimin e këtij procesi?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se tash është koha… sa më shpejt aq më mirë. Sa më gjatë që ta lëmë pezull aq më shumë do të shtohet pasiguria…aq më shumë do të vështirësohet procesi i vetë Serbisë drejt progresit të saj kah Partneritetit për Paqe i NATO-s apo drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në tërheqjen e investimeve të huaja, pasi kjo çështje, gjithmonë do të jetë "gur i varur në qafën e Serbisë". Mendoj se sa më shpejt ta zgjidhim këtë çështje, sa më shpejt të fillojmë procesin e vendosjes së statusit, aq më shpejt këto vende do të mund të ecin drejt Evropës.

RADIO EVROPA E LIRË
Po ju pyes këtë pasi para disa ditësh, kryeministri i Kosovës tha se në procesin e bisedimeve rolin kryesor do ta kenë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, sidomos Shtetet e Bashkura. Por duke pasur parasysh angazhimet e jashtme aktuale të Amerikës… çka mendoni, a është Kosova ende çështje e rëndësishme në agjendën amerikane?

JANUSZ BUGAJSKI
Thënë të drejtën nuk zë më një vend prioritar në agjendën amerikane dhe mendoj se duhet të jetë në një pozicion më të rëndësishëm. Siç e dini Shtetet e Bashkuara janë të preokupuara me një numër krizash rajonale…e sidomos në Lindjen e Mesme, Kaukaz dhe Azinë qendrore, por nuk mendoj se çështja e Ballkanit është e zgjidhur përfundimisht dhe do të ishte e pandershme që të tërhiqeshim dhe t'ua linim në dorë këtë çështje evropianëve, në një kohë kur akoma duhet angazhuar për të zgjidhur çështjet thelbësore që janë akoma të pazgjidhura. Mendoj se duhet të ketë një prioritet më të madh për një periudhë kohore më të shkurtër dhe ndoshta, më vonë, mosangazhimi do të ketë më shumë kuptim.
Intervistoi Fatmir BUJUPI.
XS
SM
MD
LG