Ndërlidhjet

logo-print

MINISTRAT E JASHTËM TË DISA VENDEVE BALLKANIKE DISKUTOJNË KORRIDORIN TETË


Alma Çupi, Tiranë

Ministrat e jashtëm të vendeve që lidhen me Korridorin e Tetë, Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Greqisë, Italisë dhe Turqisë, shprehën sot në Tiranë angazhimin politik për të përshpejtuar punimet për infrastrukturën e këtij korridori. Takimi i sotëm synoi institucionalizimin e një lobingu konkret të projektit të Korridorit të Tetë. Takimi u thirr nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta, i cili tha sot se vendet e rajonit e kanë lënë mbrapa të kaluarën dhe po punojnë së bashku për t’u integruar në strukturat europiane.
"Ne po punojmë së bashku me institucionet ndërkombëtare dhe me partnerët, duke lënë mënjanë paragjykimet e së kaluarës, për të zëvendësuar imazhin e Ballkanit si vendi i ndarjeve historike dhe i konflikteve, me rajonin e Europës Juglindore që është në rrugën e bashkëpunimit dhe integrimit", tha Ilir Meta.
Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini, tha se Korridori i Tetë është një projekt i një rëndësie të veçantë për Italinë.
"Nuk është thjesht një korridor, është një mënyrë për ta sjellë këtë rajon më afër me Bashkimin Evropian përmes transportit, por gjithashtu duke afruar edhe kulturat, njerëzit dhe stabilitetin e gjithë rajonit", tha Franco Frattini.
Ndërsa për Ministren e Jashtme të Maqedonisë Ilinka Mitreva, realizimi i këtij korridori do të thotë një kontribut për lidhje më të ngushtë të popujve të rajonit.
"Ne presim që Italia, që do të marrë drejtimin e BE-sëdo të interesohet në institucionet ndërkombëtare financiare, për sigurinë e investimeve për ndërtimin e rrjetit hekurudhor, që do të lehtësojë komunikimin dhe lidhjet infrastrukturore. Realizimi i këtyre projekteve, që lidhin vendet e rajonit do të kontribuojë për lidhje më të ngushta mes popujve, kulturave dhe ekonomive të vendeve të rajonit, që është thelbësore për të patur një rajon stabël dhe të prosperuar, të gatshëm për t'u integruar në strukturat euroatlantike", tha Ilinka Mitreva.
Solomo Passi, Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, duke vënë theksin tek infrastruktura e keqe e vendeve të rajonit, tha:
"Korridori i Tetë është i një rëndësie të jashtëzakonshme për Bullgarinë sepse 50% e infrastrukturës kalon përmes territorittë saj. Sot infrastruktura në Ballkan është në gjendje të mjerueshme. Prioriteti ynë është të lidhim pjesët që i mungojnë këtij korridori. Dhe e rëndësishme për ne është përfundimi i hekurudhës që lidh Sofien me Shkupin."
Për Ministrin e Jashtëm të Turqisë Binali Ylidirim, Stambolli nuk duhet të jetë stacioni i fundit i Korridorit të Tetë.
"Patja e një lidhjeje të mëtejshme të këtij korridori është thelbësore për të siguruar vazhdimësinë e këtij korridori nga Evropa Lindore në zonën e Azisë, Kaukazit dhe Lindjes së Largët", tha Binali Ylidirim.
Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve që lidhen me Korridorin e Tetë u përshëndet edhe nga Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano. Në fjalën e tij ai vuri theksin tek rritja e kapacitetit bashkëpunues të vendeve të rajonit. "Korridori i tetë paraqet para nesh shansin më të madh të infrastrukturës për të përshpejtuar procesin e europianizimit të vendeve tona, që për shekuj të tërë, për arsye historike kanë qenë përjashtuar nga integrimi në pjesën e moderuar të Evropës. Duke e parë nga ky këndvështrim Rruga Egnatia e mileniumit tonë është sipas konsideratës sonë një ndërveprim shumë palësh. Pas nënshkrimit të tregtisë së lirë vendet tona po kthehen me shpejtësi në një treg potencial të integruar dhe si zgjerim i natyrshëm të tregut të BE", tha Kryeministri Nano.
Takimi i sotëm mes Ministrave të Jashtëm të vendeve që lidhen me Korridorin e Tetë synoi nxitjen e bashkëpunimit dy palësh dhe shumë palësh në rajon, për t'a bërë më funksional dhe bindës rajonin si partner të besueshëm dhe bashkëpunues me ndërkombëtarët dhe donatorët e mundshëm.
XS
SM
MD
LG