Ndërlidhjet

KRYEPARLAMENTARI DACI PARALAJMERON PROTESTA NË ZYRAT DIPLOMATIKE PËR RASTIN THAÇI


Rrahman Paçarrizi, Prishtinë

Shefi i UNMIK-ut, Michael Steiner është shprehur i kënaqur nga bashkëpunimi me Ministrin e Jashtëm hungarez Kovacz, lidhur me rastin e djeshëm kur kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, u arrestua mbrëmë nga autoritetet hungareze të policisë në aeroportin e Budapestit, sipas një fletarresti serb të vitit 1997, dhe u lirua pas disa orësh: “Unë jam shumë i lumtur për bashkëpunimin me ministrin e jashtëm hungarez, në bazë të të cilit arritëm t'a zgjidhim këtë problem me lehtësi, duke mbetur i kënaqur dhe vetë personi i përfshirë në të”, tha Steiner, duke njoftuar se zoti Thaçi e kishte falënderuar sot nëpërmjet telefonit, për angazhimin e tij lidhur me këtë rast.
Zoti Steiner i ka bërë këto komente pak çaste para se të nisej për në Nju Jork ku do t’i prezantojë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara raportin e fundit tremujor të punës së tij si kryeadministrator i Kosovës, para se të largohet nga Prishtina më 8 korrik.
Lidhur me arrestimin e djeshëm të zotit Thaçi ka reaguar ashpër edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit, bëri të ditur këshilltari i tij, Ramush Tahiri. Nexhat Daci u shpreh se "ky është një kurth që bëhet në bazë të një kërkese që nga shekulli i kaluar dhe nga një regjim, i cili është gjykuar nga e gjithë bota, dhe që nuk u jep të drejtën liderëve kosovarë të udhëtojnë nëpër Evropë. Mbi këtë bazë u kërkua nga shtetet e Evropës të ndërmarin masa përkatëse ndaj Hungarisë, për këtë ndalesë e cila vlerësohet si e pamirë nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës”, ka cituar Ramush Tahiri kryeparlamentarin Daci duke vazhduar më tej se ky është një akt që nuk i kontribuon paqes dhe stabilitetin në rajon, duke pasur parasysh angazhimin e Thaçit në këtë drejtim dhe për bisedime teknike me Beogradin. Ai tha se zoti Daci do protestojë pranë zyrave diplomatike dhe do të reagojë publikisht, që këto raste të mos ndodhin më. Nexhat Daci nesër do të takohet me përfaqësuesin italian që është kryesues i radhës, ndërsa reagimi i sotëm do t’u dërgohet të gjitha zyrave diplomatike, tha Ramush Tahiri.
Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe AAK duke theksuar se akti i djeshëm është përgjegjësi e autoriteteve të Hungarisë që s’e kanë kuptuar se në Ballkan kanë ndryshuar epokat dhe se edhe vetë Hungaria është në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, zëdhënësja e UNMIK-ut Izabela Karlowitz, ka shpjeguar rrjedhën e ngjarjeve të mbrëmshme lidhur me zotin Thaçi: "Në orën gjashtë të mbrëmjes, kryeministri Rexhepi i ka telefonuar zotit Steiner për ta njoftuar për arrestimin, dhe zoti Steiner ka thirrur menjëherë Ministrin e Jashtëm hungarez Laslo Kovacz, me të cilin është dëgjuar katër herë brenda një ore, tha zëdhënësja Karlovitz, për të shtuar se edhe shefi i shtyllës së drejtësisë Zhan Kadi, e ka konfirmuar me Parisin zyrtar nisjen e Thaçit për në Paris, ku ai shkonte me një ftesë zyrtare. Zëdhënësja Karlowitz tha se nuk dinte nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin ndonjëfarë imuniteti.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë ndërkombëtare tha se nuk dinte që Serbia të kishte paraqitur ndonjë kërkesë policisë së UNMIK-ut për arrestimin e Thaçit: “Unë nuk kam dijeni të kemi marrë ndonjë kërkesë. Më duhet të konsultohem me zyrën e Interpolit, mirëpo me sa di unë nuk ka një kërkesë të tillë”, tha zoti Chapell, duke konfirmuar se policia e UNMIK-ut ka qasje në dosjet e Interpolit dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me këtë organ.

XS
SM
MD
LG