Ndërlidhjet

ZBATIMI I REKOMANDIMEVE NGA ANA E PALËS KOSOVARE, MUNDËSON AFRIM ME BE-NË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Integrimi i Kosovës në strukturat evropiane si entitet i veçantë dhe definimi i statusit të saj, janë prioritetet e Qeverisë së Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë kryeministri Bajram Rexhepi. Zoti Rexhepi i ka bërë këto komente pas përfundimit të takimit të dytë të mekanizmit përcjellës në kuadër të procesit për Stabilizim -Asociim. Në këtë takim, përveç strukturave më të larta vendore e ndërkombëtare, mori pjesë edhe Komisioni Evropian. Duke vlerësuar zhvillimet e procesit nga takimi i parë i 13 marsit deri në takimin e përfunduar sot, kryetari i Komisionit Evropian për Ballkanin perëndimor Reinhard Priebe, tha se institucionet e Kosovës dhe UNMIK-u kanë kryer një punë të madhe në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian:
“Mund të them se ky takim ishte përgatitur mirë dhe se ne vetëm shohim një përparim të dukshëm nga takimi i parë”, vlerësoi Priebe. Rekomandimet janë kuptuar me seriozitet dhe është bërë një punë e konsiderueshme në zbatimin e tyre, pohoi ai. Priebe tha se që nga
mbarimi i Samitit të Selanikut, janë dhënë dy porosi kryesore si për Kosovën ashtu dhe për rajonin. Porosia e parë, tha Priebe, është se Kosova do të jetë pjesë e integrimeve evropiane, kurse porosia e dytë si për Kosovën ashtu edhe rajonin është se këto vende duhet
të bëjnë shumë më tepër që të jenë pjesë e integrimeve evropiane. Prandaj, shtoi ai, takimi dyditor në Prishtinë e kishte këtë qëllim, pra që Kosova t’i zbatojë rekomandimet e Komisionit Evropian që të jetë më afër integrimit të saj në Evropë. Ndërsa kryeministri Bajram Rexhepi, tha se përmbushja e kritereve evropiane dhe integrimi, janë qëllime të punës së Qeverisë, siç është dhe vet procesi i zgjidhjes së statusit final të Kosovës:
“Kosova e ka një rrugë me dy qëllime. Në atë rrugë, njëri qëllim është definimi i statusit të Kosovës dhe tjetri është integrimi në Bashkimin Evropian dhe ne po punojmë në këtë drejtim dhe në kohën e duhur do të vendosen këto çështje”, tha kryeministri Rexhepi.
Gjatë takimit dyditor në Prishtinë, institucionet vendore e ndërkombëtare i diskutuan me Komisionin Evropian rekomandimet në fushën e transportit e telekomunikacionit, pastaj rekomandimet në lidhje me mediat, drejtësinë e çështje të punëve të brendshme. Qëllimi i Mekanizmit Përcjellës është që të sigurojë që reformat përputhen me standardet e Bashkimit Evropian në këto fusha, thanë udhëheqësit e takimit. Ndërkaq parashihet që deri në fund të këtij viti të mbahen edhe një apo dy takime të ngjashme.

XS
SM
MD
LG