Ndërlidhjet

ASNJË SHQIPTAR NË LISTËN E PERSONAVE TË PADËSHIRUAR TË BE-SË


Augustin Palokaj, Bruksel

Këshilli i Bashkimit Evropian në takimin e sotëm ka miratuar listën me 14 emra të personave, të cilëve do t'u ndalohet hyrja në territorin e shteteve të Bashkimit Evropian. Fjala është kryesisht për serbët e Bosnjes, por edhe Serbisë dhe Malit të Zi, për të cilët dyshohet se kanë ndihmuar personat e kërkuar nga Tribunali i Hagës, më së shumti Radovan Karaxhiçin, të kërkuarin kryesor për krime lufte në territorin e Bosnje-Hercegovinës, që është akuzuar edhe për gjenocid. Në listën e emrave ka edhe zyrtarë të lartë të Kishës Orthodokse Serbe, për të cilët dyshohet se në manastiret e tyre kanë strehuar Karaxhiçin. Nga ana tjetër në këtë listë janë dhe emrat e dy kroatëve të cilët kanë ndihmuar siç thuhet strehimin e të akuzuarit Ante Gotovina në territorin e Hercegovinës. Përkundër disa spekulimeve në mediat e Kosovës, nuk ka asnjë emër të zyrtarëve nga Kosova apo nga Shqipëria në këtë listë, edhe pse ka patur spekullime për një gjë të tillë. Lista evropiane nuk ka asgjë të bëjë me listën e mëparshme të ngjashme që ka miratuar presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush, pasi kjo listë ka të bëjë vetëm me personat që kanë ndihmuar të ikurit nga Tribunali i Hagës. Qëllimi i kësaj liste është që shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të përmbushin obligimin e tyre për të bashkëpunuar sa më shumë me Tribunalin e Hagës, dhe detyra kryesore është që sa më parë të dorëzohen të gjithë të akuzuarit në atë Tribunal.

XS
SM
MD
LG