Ndërlidhjet

HASANI: " BE, E VETME PA SHBA-NË, NUK ËSHTË E AFTË TË ZGJIDHË PROBLEMIN E KOSOVËS"


Enver Hasani, ekspert i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, është paralajmëruar se bisedat për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit do të fillojnë në fund të këtij muaji. Në rrethanat aktuale, sa mendoni se ka gjasë që të fillojë dialogu pikërisht në periudhën e paralajmëruar?

ENVER HASANI
Mund të ndodhë që për çështje teknike dialogu të mos fillojë në fund të këtij muaji, por më vonë. Megjithatë ajo është çështje teknike dhe nuk është çështje përmbajtësore që do të ndikojë në natyrën dhe llojin e bisedimeve që do të zhvillohen. Mendoj se procesi, që është filluar në Selanik, do të jetë një proces mjaft i gjatë, mbase në fazat e mëvonshme edhe i mundimshëm për shumë arsye, sado që këto synojnë të paraqiten si biseda teknike dhe biseda që nuk kanë implikacione në statusin e Kosovës. Megjithatë, me kalimin e kohës, më vonë do të shihet se disa çështje politike edhe nuk do të mund të
anashkalohen. Sido që të jetë, mendoj se procesi i filluar në Selanik do të vazhdojë shumë shpejt. Procesi i dialogut Kosovë-Serbi do të jetë një vazhdim në kuptim të operacionalizimit të idesë së vetë
dialogut për çështje pragmatike, siç është formuluar në fillim.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili, sipas jush, mund të jetë promotori kryesor i këtyre bisedimeve?

ENVER HASANI
Unë mendoj se, politikisht nëse shikohet në sensin e stabilitetit të rajonit dhe të Kosovës, është mirë që është bërë formulimi se promotorë janë Unioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të thotë që, është dhënë sinjal i qartë nga pala e përtej Atlantikut, pala amerikane, se e përkrah fuqishëm atë që është filluar në Selanik dhe dialogun për çështje praktike, sepse ndryshe do të ishte keqkuptuar dhe dialogu mbase edhe do të ishte pamundësuar ose vështirësuar. Është e rëndësishme që të thuhet se paraqitja e viz-a-vi palëve në konflikt ka qenë unike në mes të Unionit Evropian dhe palës amerikane. Sidoqoftë, është shumë i sigurt fakti që Unioni
Evropian ka mbetur ai që ka qenë edhe më herët dhe nuk mund të jetë një organizëm politik dhe institucional i aftë, që vetëm, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të sigurojë paqen në rajon dhe të zgjidhë çështjen e Kosovës në veçanti. Kjo është shumë e sigurtë, prandaj është shenjë e mirë që janë krahë për krahë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, krerët e institucioneve të Kosovës kanë bërë thirrje publike për të gjithë të zhvendosurit nga Kosova që të kthehen në shtëpitë e veta. Sipas jush, cili mund të jetë reflektimi i kësaj thirrjeje jo vetëm tek të zhvendosurit, por edhe në procesin e gjithëmbarshëm politik, veçanërisht në rrafshin e krijimit të një klime për fillimin e bisedimeve mbi çështjet teknike ?

ENVER HASANI
Çështja e deklaratës që është bërë nga ana e liderëve dhe institucioneve të Kosovës ka një efekt pozitiv që është krijimi i opinionit mbi domosdoshmërinë e kthimit të të gjithë atyre kosovarëve që kanë origjinë serbe, rome dhe tjetër, nëpër shtëpitë e tyre. Megjithatë, një gjë duhet të kihet shumë parasysh se, kthimi i të zhvendosurve nuk është çështje e deklarimeve politike, do të thotë, nuk është çështje e problemit verbal, por është çështje përmbajtësore, e cila do një infrastrukturë legale, ekonomike-politike dhe mbi të gjitha një infrastrukturë të sigurisë, e cila kam përshtypjen sikur mungon dhe vetëm shoqërimi i asaj infrastrukture mund të prodhojë dhe prodhon rezultate pozitive imediate, të prekshme, kur është fjala për kthimin e të zhvendosurve dhe refugjatëve me origjinë nga Kosova. Dua të them se kjo deklaratë në mënyrë të izoluar nuk mund të arrijë një efekt tjetër përveçse
krijimin e një opinioni, i cili, në një farë mënyre është prezent në pjesën dërmuese të popullsisë shumicë këtu, se kthimi i tyre është një e drejtë legjitime, një proces që është i pashmangshëm dhe që duhet të ndodhë. Megjithatë, mbetja në terrenin verbal për një
kohë të gjatë, mund të prodhojë efekte të kundërta dhe t’a përkeqësojë procesin e kthimit të të zhvendosurve dhe refugjatëve dhe rrjedhimisht mund ta vështirësojë procesin politik të bisedave për çështje pragmatike dhe për çështje të tjera, më vonë edhe për çështje të statusit. Prandaj, për të mos ndodhur kjo, mendoj se duhet të punohet më shumë në krijimin e një infrastrukture vendore të sigurisë, infrastrukture të duhur ekonomike, politike, kulturore, institucionale e cila do të garantonte një kthim të qëndrueshëm dhe një stabilitet afatgjatë të këtij vendi dhe të banorëve të saj.

Intervistoi Bekim Bislimi


XS
SM
MD
LG