Ndërlidhjet

logo-print

STEINER FLET PARA KËSHILLIT TË SIGURIMIT


Kosova po ecën drejt integrimit me Evropën dhe atje është vendosur një qeveri shumëetnike. Kështu ka deklaruar në fjalën e tij të sotme përpara Këshillit të Sigurimit, Michael Steiner, kryeadministratori i Kosovës.
"Nga shtypja, keqtrajtimi dhe tragjedia e 99-s, Kosova ka ecur në drejt një shoqërie të lirë funksionale dhe demokratike. Pjesëmarrja e të gjithëve ende nuk është arritur, dhe ëndrra ende nuk është realizuar, por themelet janë hedhur," tha Steiner.
Megjithatë shefi i UNMIK-ut nuk ka harruar të përmendë dhe një sërë problemesh ekzistuese.
"Pavarësisht nga përparimi që kemi bërë, retorika po bëhet gjithmonë e më shumë kundërshtuese, pasi të dyja palët janë duke e pozicionuar vetveten sa i përket statusit përfundimtar," ka theksuar Steiner.
Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, ka bërë përgjegjës udhëheqësit e shqiptarëve dhe serbëve se po vazhdojnë të pengojnë procesin e kthimit të pakicave.
Megjithatë Steiner ka përgëzuar deklaratën e fundit të politikanëve shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë kërkuar nga pakicat, veçanërisht ato serbe dhe rome, që të kthehen në shtëpitë e tyre.
Por vështirësitë dhe problemet që ekzistojnë në Kosovën e pas luftës, nuk janë të panjohura, pasi të tilla janë situatat në shoqëritë e tjera që kanë njohur konfliktet.
"Bosnja, Afganistani dhe Iraku, dëshmojnë sesa e vështirë është të fitohet paqja, të ndërtohen institucionet dhe të mëkëmbet ekonomia. Kosova po vuan si pasojë e mungesës së statusit të përcaktuar politik. Por kjo tani po vjen dalëngadalë në sipërfaqe dhe askush nuk duhet të habitet për këtë," është shprehur Steiner në paraqitjen e tij të sotme para Këshillit të Sigurimit.
Pas fjalës së Steinerit ka pasur dhe një mori diskutimesh.
Kështu ambasadori i Serbisë dhe Malit të Zi në fjalën e tij mes të tjerash ka thënë:
"Të drejtat themelore të njeriut dhe pakicave, përfshirë të drejtat e pakicave për përdorimin e gjuhës së tyre, qasjen në shkollim, shëndetësi dhe punësim, duhet të trajtohen në mënyrë më rigoroze se deri tani. Besojmë se UNMIK-u brenda përgjigjësisë së tij të plotë mbi Kosovën, do të sigurojë respektimin e këtyre të drejtave", ka theksuar ambasadori i Serbisë dhe Malit të Zi gjatë diskutimit të tij.
Ndërkaq zëvendësambasadori amerikan pranë Kombeve të Bashkuara, James Cuningam, i cili mori pjesë në debat tha:
"Dialogu mes komuniteteve dhe jo thirrjet për qasje përjashtuese të dyanshme në të ardhmen, duhet të jetë rruga që të çon përpara", ka thënë përfaqësuesi amerikan Cuningam.
Fjala e kryeadministratorit Steiner në Këshillin e Sigurimit është në fakt paraqitja e tij e fundit në këtë cilësi, pasi mandati i tij përfundon në ditët që vijnë.
XS
SM
MD
LG